Skenari i vitit 2007 kur ishte shkuar në zgjedhje lokale e nacionale në të njëjtën ditë mund të përsëritet edhe sivjet. Në vjeshtë qytetarët e Kosovës mund të votojnë për Kryetar të Komunave, Asamblistë dhe për deputetë të Parlamentit.
Ky skenar s’mohohet prej zyrtarëve të PDK’së, por thonë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt. Në LDK thonë se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen vitin e ardhshëm.
Në vjeshtë të këtij viti është paraparë që të mbahen zgjedhjet lokale dhe pakënaqësitë për mosfunksionimit të ekzekutivit dhe legjislativit, rrisin mundësitë që këtë vit të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme.
Idenë për mbajtjen sa më të shpejt të zgjedhjeve të përgjithshme e kanë shtyrë përpara Vetëvendosje, AAK e NISMA.
Mirëpo, këtë kërkesë ka edhe deputeti i PDK’së, Shukri Buja. Ai tash e sa kohë po kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, pasi thotë se koalicioni nuk është duke funksionuar.
Deputeti Buja thotë për Gazetën Express se zgjedhjet nacionale duhet të mbahen në pranverë, më së largu në qershor të këtij viti. (b.an)