Shumë prindër mund të mos kenë dëgjuar më parë për teknikën e ‘’pritjes progresive’’ të krijuar nga neuropediatri anglez Richard Ferber. Por me shumë gjasë e keni përdorur atë gjatë rritjes së fëmijëve. Bëhet fjalë për një metodë shumë të thjeshtë për t’i vënë ata në gjumë: t’i lini të qajnë derisa të lodhen.
Tingëllon paksa e pamëshirshme në pamje të parë, por shumë prindër zgjedhin ta praktikojnë me fëmijë të moshës 0-3 vjeç. Ata i lënë të qajnë nën pretekstin se fëmijët lodhen dhe më pas do të mund të flenë të qetë. Ajo që nuk dini është sesi ndikon e qara në jetën e një fëmije. Pasojat fizike dhe psikologjike prekin ecurinë e shëndetit të tyre edhe gjatë një periudhe më të vonë.
Së pari duhet të dini që e qara e fëmijëve është mënyra e tij e vetme e komunikimit përballë një situate të bezdisshme siç mund të jetë uria, etja, i ftohti, nervozizmi, frika etj apo qoftë papastëria e pampersit.
Kjo thirrje është forma e tij e vetme për të pasur praninë dhe sigurinë e prindërve. Kur ky apel nuk dëgjohet qëllimisht nga prindërit, tek fëmija vihet re një rënie e menjëhershme e serotoninës, hormonit të lumturisë.
Qarjet e vazhdueshme ndikojnë në mënyrë progresive në sistemin e tij nervor qendror duke penguar zhvillimin e tyre cerebral dhe aftësinë e të mësuarit. Ngashërimet e shumta shkaktojnë tek ai stresin fëmijëror dhe idenë e braktisjes, shkruan Living.
Një risi vjen nga një studim i fundit, i kryer në universitetin e Amsterdamit, qarjet e vazhdueshme krijojnë tek ai ndjesinë e pamundësisë, një ndjenjë e cila e përndjek edhe gjatë adoleshencës.
Në planin fizik, duhet thënë që të qarët dëmtojnë kordat vokale të fëmijës dhe nxisin hyrjen e radikaleve të lira, mikrobeve dhe baktereve nëpërmjet ajrit. Si pasojë sistemi i tij imunitar dobësohet dhe humb aftësinë mbrojtëse./a.k