Policia Kufitare e Korçës dhe SHÇBA kanë arrestuar 3 persona, mes tyre një punonjës policie, pasi akuzohen për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim të dokumentave” dhe “Shpërdorim të detyrës”.
Të arrestuarit janë, Marsel Miço, 38 vjeç dhe Ilia Çipi, 46 vjeç të dy banues në Korçë. Ndërsa i arrestuari i tretë është punonjësi i policisë, Lefter Bardho, 47 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë kontrollor në PKK Kapshticë.
Arrestimi i tyre u krye në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në bazë të urdhrit të Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës, bazuar në një punë hetimore në bashkëpunim mes organeve ligjzbatuese.
Personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndihmuar disa persona për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, duke përdorur pasaporta shqiptare dhe serbe si dhe në bazë të ngjashmërisë fizike, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 9 pasaporta biometrike shqiptare, 1 pasaportë biometrike serbe, 4 aparate telefoni celular dhe 2 automjete “Mercedes benz” me targa AA748OG dhe AA361NY.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme dhe për zbulimin e lidhjeve të mundshme këtij grupi kriminal.