Zbulohet identiteti i të riut shqiptar që u arrestua mbrëmjen e djeshme pasi dyshohej se po përgatiste një sulm terrorist në Vjenë.
Sipas mediave austriake bëhet fjalë për 18-vjeçarin Lorenz K, i cili u kap në një apartament në Vjenë. Përveç të riut, në pyetje është marrë edhe babai i tij, i cili thotë se nuk e ka pasur idenë në lidhje me orientimin e të birit, transmeton albinfo.ch. Babai, i cili vinte nga Shqipëria (Tirana) jeton në qytetin Neunkirch dhe ka dy djem. Të njëjtat burime theksojnë se Lorenzi është një emër i njohur për policinë austriake, pasi është akuzuar dhe më parë për vepra të ndryshme penale. Ndërkohë, raportohet se ai pak kohë më parë kishte nisur të banonte në Vjenë.
I riu, i cili ka lindur në Austri, por me prejardhje është shqiptar, pasi është marrë mbrëmjen e djeshme në pyetje, është lënë në burg. Vazhdon të mbetet e paqartë se sa i rrezikshëm është në të vërtetë 18-vjeçari, shkruan portali austriak. Mbrojtjen e të riut priten ta marrin një numër avokatësh me emër në Vjenë.
Sakaq, gjatë kontrollit të policisë nuk është gjetur asgjë komprometuese, si lëndë shpërthyese, ndërsa janë konfiskuar disa telefona celularë. Grupi hetimor i çështjes raporton se, synimi i tij kishte qenë që në sulmin që do ta kryente në një metro në Vjenë të vdisnin sa më shumë persona. Ndërkaq, mbetet ende në kufijtë e të panjohurës mënyra se si i riu me një afërsi me rrjetin mafioz palestinez Abou-Chaker në Berlin kishte rënë në lidhje me qarqet salafiste. Sipas gazetës Österreich ai kishte qëndruar mjaft shpesh në Gjermani, ku gjithnjë më shumë qe “fundosur në moçalin islamist”./a.m.