Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar dje pas prezantimit të projekteve për hyrjen e Parkut të Liqenit.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Forumi shprehet se është gjendur përballë një konkursi të cilin ajo e cilëson si të panjohur për qytetarët e Tiranës.
“Forumi për Mbrojtjen e Trashegimise Kulturore, sot eshte gjendur tërësisht papritur përballë nje konkursi, i cili ishte njohur edhe ndërkombetarisht por për fat të keq jo nga qytetaret e Tiranës”., shkruan FMTK.
Sipas FMTK, ky është një konkurs i pakuptimtë, pasi bëhet në momentin më të papërshtatshëm, atë të ndërrimit të pushteteve. Kjo sipas Forumit, ngjall dyshime.
“Organizimi i një konkursi ndërkombëtar, pikërisht në ditet e kalimit të pushteteve nga një kryetar tek tjetri, është i pakuptimtë, i nxituar, i dyshimtë dhe, në një farë mënyre një pabesi ndaj Kryetarit dhe qytetit.”, shkruhet në deklaratë.
FMTK vijon me një sërë argumentesh pse nuk duhet të ndërhyhet në Ansamblin Monumental të Sheshit Nënë Tereza.
“– Pastrimi dhe restaurimi i Ansamblit Monumental të Sheshit Nënë Tereza, me rastin e vizitës së Papës, i ktheu atij ansambli të mrekullueshem dhe unikal gjithë madhështinë e vet të harruar. Ky Ansambël Monumental është i vetmi i realizuar tërësisht dhe, si i tillë, çdo ndërhyrje brenda tij vetëm do ta përdhoste dhe deformonte.
Tashmë në mendimin dhe zemrën e çdo tiranasi Parku i Liqenit është i shenjtë, dhe Ansambli i sheshit nënë Tereza është i shenjtë.
– Prishja e godinave me dhe pa leje në krah të Korpusit të Universitetit, u bë me argumentin ligjor se ato dëmtonin tërësine e Ansamblit Monumental dhe zinin hapësira në Parkun e Tiranës. Eshtë absurde dhe kundërthënëse që tani godinat dykatëshe të këmbehen me godina të tjera 6 apo 7 apo 8 katëshe.
– Tirana ka nevojë ulëritëse për të shpëtuar çdo centimetër gjelbërim egzistues. Në këto kushte, betonimi i një cope të Parkut rreth 1 hektar, me ndërtime të tjera është kundër çdo llogjike urbane, njerëzore dhe mjedisore.
– Eshtë shumë e dyshimtë nëse ndërtimet që aty parashikohen do të jenë publike apo private. Eksperienca e dy dekadave të fundit në këto çështje është tërësisht e hidhur.
Por edhe sikur të flitet për ndërtime me funksion publik, ato jo domosdoshmërisht duhen ndërtuar duke sakrifikuar hapësira të gjelbra dhe që kanë qenë jetë e mot Park. Ndërtimet bëhen edhe duke ricikluar godina publike egzistuese, edhe duke shpronësuar godina private, edhe duke u orientuar në zona tashme në zhvillim.
– Forumi në ditët në vijim do të kërkojë mbështetjen qytetare dhe civile të Tiranës, duke kërkuar mobilizim deri në idenë e një referendumi, që fillon dhe mbaron me një pyetje të vetme:
A doni të ndërtohet në Parkun e qytetit, apo doni që ai të mbetet i gjelbër?”, shkruan FMTK.