Hyn zyrtarisht në fuqi ligji më i rëndësishëm i Reformës në Drejtësi, ai për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve, i quajtur ndryshe ligji i Vetingut. Një ditë pas zbardhjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese, vendimi që konfirmon ligjshmërinë e ligjit të Vetingut, është botuar në Fletoren Zyrtare, duke hyrë në fuqi menjëherë.
“Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, botuar në Fletoren Zyrtare, mesditën e djeshme.
Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të vendimit, ka hyrë automatikisht në fuqi edhe ligji i Vetingut, i cili ishte pezulluar nga Gjykata Kushtetuese në 25 tetor të vitit të kaluar. Nga ana e saj, vetëm 3 ditë para se të skadonte afati i parashikuar në ligj, Gjykata Kushtetuese, vendosi publikimin e vendimit dhe zhbllokimin e ligjit pas tre muajsh “ngrirje”.
Afatet, pasuria
800 gjyqtarë dhe prokurorë do t’i nënshtrohen skanerit të trefishtë të Vetingut për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e papërshtatshme me krimin dhe testimin e aftësive profesionale.
Sipas juristëve, llogaritja e afateve për gjyqtarët dhe prokurorët, për dorëzimin e deklaratave të pasurive, nis nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, pra nga dita e djeshme. Në këto kushte, njerëzit e drejtësisë do të kenë 30 ditë afat, për të dorëzuar pranë ILDKPKI deklaratën me pasurinë e plotë dhe dokumentacionin ligjor justifikues.
Neni 31 i ligjit për Vetingun, parashikon që subjekti i rivlerësimit plotëson deklaratën e pasurisë, sipas shtojcës 2 bashkëlidhur këtij ligji, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi dhe e dërgon pranë ILDKPKI.
Nga ana tjetër, ILDKPKI fillon menjëherë procedurën e kontrollit. Nëse subjekti i rivlerësimit është në pamundësi objektive për të disponuar dokumentin që justifikon ligjshmërinë e krijimit të pasurive, duhet t’i vërtetojë institucionit të rivlerësimit se dokumenti është zhdukur, ka humbur, nuk mund të bëhet përsëri ose nuk merret në rrugë tjetër.
Nëse subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur kanë pasuri jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ai paraqet deklarimet bankare të viteve të fundit, të dhënat e fundit mbi regjistrimin e pasurisë ose dokumente të tjera që tregojnë vlerën e pasurive që ndodhen jashtë shtetit.
Kontrolli i figurës
Prokurorët dhe gjyqtarët, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të Vetingut, plotësojnë formularin për kontrollin e figurës dhe e dorëzojnë pranë Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar.
Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijojnë një grup pune për verifikimin e vërtetësisë së deklaratave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, për lidhjet e papërshtatshme me botën e krimit.
Sipas ligjit, DSIK, me kërkesë të grupit të punës ose të institucioneve të rivlerësimit, ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar ose për personat e dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar për qëllim të këtij ligji.
Grupi i punës, verifikon identitetin në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo individ, verifikon nëse ka tendenca kriminale për përfshirjen në krimin e organizuar, bën një vlerësim të përgjithshëm, nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura
Kriminale si dhe kontrollon nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale.
Afati i kontrollit të figurës
Sipas nenit 39 të ligjit të Vetingut, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me grupin e punës, brenda 60 ditëve nga konstituimi i grupit të punës, verifikon nëse informacioni është i saktë dhe nëse prokurori apo gjyqtari ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar.
Brenda 10 ditëve nga përfundimi i kontrollit, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, pas përgatitjes nga grupi i punës të dokumentit/raportit, ia paraqet atë Komisionit.
Ky dokument/raport përcakton nëse subjekti i rivlerësimit ka plotësuar formularin e deklarimit për kontrollin e figurës, në mënyrë të saktë dhe me vërtetësi; nëse ka informacion në deklarimin e tij ose gjetkë që tregon se subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, si dhe konstatimin në lidhje me përshtatshmërinë e tij për vazhdimin ose jo të detyrës.
Afati për vlerësimin e aftësive profesionale
Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të plotësojnë formularin e vetëvlerësimit profesional, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi, dhe ta dërgojnë atë pranë organit
të vlerësimit të aftësive profesionale. Subjekti i rivlerësimit, ka të drejtë t’i paraqesë me shkrim komisionit kërkesën për rivlerësimin e tij, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Periudha e vlerësimit për aftësitë profesionale, për efekt të këtij ligji, do të jetë 3 vitet e fundit të ushtrimit të detyrës nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në rast se subjekti i rivlerësimit ka më pak se 3 vite në detyrë, periudha e vlerësimit konsiderohet e gjithë koha gjatë ushtrimit të detyrës.
Vlerësimi i aftësive profesionale mund të shtrihet nga 1 janari 2006 e në vazhdim, sipas informacionit që disponohet për etikën dhe aftësitë profesionale. Komisioni ose Kolegji i Apelimeve merr parasysh këto informacione nëse relatori i çështjes ose vëzhguesi ndërkombëtar i çmon si të domosdoshme për procesin e rivlerësimit.
5 hapat, si do kontrollohet pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve
1. ILDKPKI-ja, bazuar në deklarimet e pasurive, zhvillon një procedurë të plotë kontrolli në përputhje me këtë ligj, ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, detyrimeve
financiare të personave të zgjedhur dhe nëpunësve të caktuar publikë”, ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe Kodin e Procedurave Administrative.
2. Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së, për qëllimet e rivlerësimit, mund të kërkojë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave ose Ministrisë së Drejtësisë dokumentet për pasuritë në pronësi të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta, dokumentet që përdoren jashtë shtetit nga subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta, ose të dhënat financiare mbi çdo transaksion financiar brenda ose jashtë vendit në përputhje me ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta. Këto dokumente ose informacione mund të përdoren në cilësinë e provave përpara Komisionit ose Kolegjit të Apelimit.
3. ILDKPKI-ja mundëson akses të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur me të, si dhe dokumentet shoqëruese.
4. ILDKPKI-ja kryen një procedurë të plotë kontrolli sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 180 ditë nga dita e depozitimit të deklaratës së pasurisë.
5. Në përfundimin të kontrollit, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së përgatit një raport të hollësishëm dhe të arsyetuar, sipas rastit, konstaton se: a) deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin, me burimet e ligjshme financiare dhe që nuk gjendet në situatë konflikti interesi; b) ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; c) është kryer fshehje e pasurisë; ç) është kryer deklarim i rremë; d) subjekti gjendet në situatën e konfliktit të interes./Shqiptarja/a.m.