Shkrimtari Rexhep Qosja ka risqaruar idenë e tij për zgjidhjen e çështjes së kufijve me serbët, e cila ai mendon se është e vetmja e qëndrueshme.Qosja ka thënë se do të ishte i gatshëm të bisedonte me serbët për cështjen e definimit të kufijve.
“Po. Po. Pse jo?”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se e vetmja rrugë për të arritur tek një zgjidhje e qëndrueshme është që të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë – duke u bashkuar Kosova dhe Shqipëria – ndërsa e ka cilësuar të pamundur pajtimin shqiptaro-serb, tani për tani, njofton Klan Kosova.
“Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën. Kjo nuk është e lehtë dhe ne mund të mendojmë se Serbia nuk do të pajtohet lehtë. Por është koncept të cilin ne duhet ta kemi përpara gjithnjë. Cështja serbe për shqiptarët për mendimin tim mund të zgjidhet vetëm në këtë mënyrë”, ka thënë Qosja.
“Tash për tash pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve është utopik dhe i pamundshëm. Në Serbi gjithmonë ka pasur një unitet të fuqishëm mes kishës dhe politikës. Në festat e Krishtlindjes, kleriku kryesor tha: “Në Kosovë kemi trupin dhe shpirtin dhe Kosova do të jetë serbe”. Nuk e heqin mendjen nga një koncept i para 300-400 vjetësh. Serbia sunohet nga njerëz që jetojnë me atë mitologji. Maska e rrejshme i ra edhe tani. Europianizmi i tyre retorik është i rrejshëm”, ka deklaruar Qosja.
“Në vizionin tim, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Si do të zgjidhet problemi i veriut dhe Luginës së Preshvës varet nga ne dhe këmbëngulja, mencuria jonë. Por ne do të bashkohemi. Kjo nuk është vetëm në të mirën tonë, por në të mirën e të gjithë Ballkanit”, ka thënë Qosja. (b.an)