Nga Mero Baze
Është një rast ekstrem. Ndoshta është rasti më ekstrem, edhe nëse e krahasojmë me çdo regjim diktatorial në botë, përsa i përket ilustrimit për lirinë e shtypit. Vetëm në Shqipëri ka ndodhur, që një kryeministër i plotpushteshëm, të detyrojë një gazetar dhe një medie të gënjejë, jo për atë që ka parë, por për atë që i ka ndodhur vetë gazetarit.
Ka plot diktatorë në botë që kërkojnë nga shtypi të mos thotë atë që shikon. Të tjerë i kërkojnë ndoshta dhe më pak. Sali Berisha është kampion në botë me kërcënimin që i ka bërë shtypit në Shqipëri, si një diktator vrasës.
Më 21 janar 2011, në orën 19: 30 minuta, Sali Berisha doli në konferencën për shtyp të dëshmonte çfarë kishte ndodhur.
Pasi shpalosi skenarin e tij haluçinant, ofruar nga një njeri i shërbimeve ruse, ai tha ndoshta gjënë më të rëndë që ka thënë ndonjë kryeministër në botë. Duke ju drejtuar gazetarëve me një ton pyetës kërcënues, për të mos dëshmuar atë që panë, ai shkoi edhe më tej, duke kërcënuar njërin prej tyre që të mos dëshmonte, që për pak do ishte vrarë. Ishte fjala për reporterin e ABC News, Fatos Mahmutaj. Me një portret të hallakatur nga makthi i vrasjeve dhe lajmet që i vinin çdo çast për viktimat dhe adrenalinës që i jepte ideja se e kishte gjetur zgjidhjen, ai ju drejtua gazetarëve:
“Mund t’ju bëj një pyetje: ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre. Çfarë ndodhi me kamerat tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.”
Ishte duke i kërkuar gjithë gazetarëve të fshihnin ato që kishin në kamera, dhe veçanërisht një gazetari, të fshihte dhe kujtesën e tij, atë që kishte përjetuar si vrasje e sigurtë, plumbin që i kishte shpuar trupin.
Fatos Mahmutaj ishte mbi tavolinën e vendosur për kamerat përbri Kryeministrisë, një vend i shenjtë për çdo ngjarje apo konflikt, që nuk preket nga asnjë palë. As në luftërat e përgjakshme nuk qëllon njeri mbi tryezën e gazetarëve. Sali Berisha qëlloi. Një plumb kapi Fatos Mahmutaj dhe i përshkroi dorën tej e tej, dhe tjetri kapi Hekuran Dedën, një protestues që ndoshta ka menduar se tek tavolina e gazetarëve e kishte jetën më të sigurtë, duke e konsideruar shtetin normal.
Sali Berisha ishte duke i kërkuar këtij gazetari, të mohonte dhe vetveten, dhe historinë që kishte të bënte me të.
Unë u përpoqa të lidhesha me Fatos Mahmutaj rreth orës 21:00 të mbrëmjes, por ishte e pamundur. Një gazetar në redaksi më tha se ndoshta është i frikësuar dhe nuk do të flasë. Nuk di sa i frikësuar ishte Fatosi atë mbrëmje, por e sigurtë ishte që ishte i plagosur nga një plumb. Të gjithë ne e perceptonim kërcënimin e Berishës si mbyllje goje. Të nesërmen u lidhëm me të dhe ai foli me kurajë dhe e denoncoi krimin e vrasjes ndaj tij.
Aleksandër Frangaj e pushoi menjëherë nga puna dhe e flaku në rrugë. Së bashku me Sali Berishën, ai do të hyjë në literaturën ndërkombëtare jo vetëm si pazarxhi, sekser apo bythëlëpirës pushteti për përfitime personale, por mbi të gjitha, si një vrasës gjakftohtë, që është bashkuar me një kriminel për të detyruar një gazetar të mohojë dhe një ngjarje që ka ndodhur në trupin e tij. Është fjala për një reporter të ABC News, që dikush po na e quan dhe ishull lirie tani. Në fakt, ishte i vetmi ishull krimi i identifikuar në historinë e shtypit shqiptar. Nuk di ndonjë medie në botë të ketë një njollë të tillë në shpinë të saj. Jo Shkullaku, por dhe ikona morale të shtypit ndërkombëtar ta merrnin më pas, nuk e zhbëjnë dot historinë e ndyrë të atij televizioni. Nuk është njollë korrupsioni apo thyerje standartesh gazetarie. Është njollë gjaku për të mbrojtur pushtetin e një vrasësi, i cili të vret dhe nuk të lë as të qash.
Është ABC e çdo krimi.