Afrimiteti i shprehur nga Donald Trump me Rusinë dhe Putinin ka sjellë jo paq shqetësim në politikën shqiptare, që ka gjetur te SHBA mbështetësin kryesor për forcimin e pozitave në rajon. Por, kryetari i Komisionit të Ligjeve në Kongresin amerikan i ka shuar zërat se SHBA do “ftohet” me Shqipërinë nën administratën Trump. Në takimin me kreun e Kuvendit Ilir Meta, Pete Sessions konfirmoi se marrëdhënie satrtegjike Shqipëri-SHBA do të forcohet nën qeverisjen e Trump.
“Donald Trump do të bashkëpunojë ngushtë për t’i forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Jam i bindur se 2017-ta do të jetë një vit i suksesshëm”, është shprehur Sessions.
Referuar miratimit të reformës në drejtësi, kongresmeni vlerësoi arritjen e konsensusit mes palëve.
“SHBA mbështet angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një Amerikë më e fortë kërkon një Shqipëri të fortë. SHBA, e bindur se bashkëpunimi me shqiptarët forcon Shqipërinë dhe rajonin. Krenar që jeni sërish për vizitë në SHBA për të riafirmuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe për t’i çuar ato më përpara”, tha ai.
Nga ana e tij kreu i Kuvendit Meta shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për implementimin e reformës në drejtësi përmes Vettingut, si dhe mbështetjen tek SHBA për të punuar dhe më tej në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Shqipëria e vendosur në implementimin e reformës në drejtësi përmes Vetting-ut. Ne mbështetemi te SHBA-të dhe do të punojmë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Vizita juaj e ardhshme në Shqipëri do të shërbejë për të përforcuar partneritetin strategjik midis SHBA-ve dhe Shqipërisë”, tha Meta./a.m.