Nga Lorenc Vangjeli / Eshtë një histori e nisur nga mijëra kilometra larg, por që në Shqipëri shkaktoi dhjetra viktima; 26 të vdekur, shumë të plagosur, qindra jetë të shkatërruara dhe një shoqëri e tërë e traumatizuar që morri goditje njëra pas tjetrës më pas, pikërisht për të shmangur arsyet e vërteta të tragjedisë.
Eshtë një histori e cila i ngjan lojës së dominove që vihen rresht, rrëzimi i njërës sjell rrëzimin e tyre të njëpasnjëshëm. Bëhet fjalë për Gërdecin, historinë tragjike të shpërthimit të korrupsionit shqiptar nëpërmjet shpërthimit real të mijërave tonelatave me municione të vjetra e të reja. Shpërthimi ishte akti final i një tragjedie me disa skenarë, por me të njëjtët aktorë. Tashmë ajo është dhe libër. I shkruar nga një gazetar amerikan Guy Laëson dhe përkthyer në shqip edhe për lexuesin shqiptar. Eshtë gati dhe një film për t’u bërë për të njëjtin skenar, i paralajmëruar shumë më herët në shtypin shqiptar se do të ndodhte. Një film kurioz për t’u parë, por që në fillim premton një gjë të pandryshueshme: turpin për mënyrën sesi do të portretizohen shumë nga personazhet shqiptarë të tij. Me steriotipin e zakonshëm të banditit, qoftë kur është me armë në dorë dhe kërcënon apo vret, qoftë kur është i veshur me kostum e kravatë dhe me stilograf në dorë firmos për akte që kërcënojnë e për akte që vrasin.
Janë dy histori në një.
E para dhe thelbi i librit amerikan, është aventura e pabesueshme e tre të rinjve amerikanë, Efraim Diveroli e miqtë e tij që marrin një kontratë 300 milion dollarë nga qeveria amerikane për të furnizuar me municione ushtrinë afgane. Ata gjejnë në tregun shqiptar sasitë e fishekëve që kërkonin, por problemi ishte që ata ishin “Made in China”, çka i vinte automatikisht nën embargo për të mos u blerë. Dhe zë fill mbas fijeve të tjera të mashtrimit, një tjetër i tillë: fishëkët shpaketohen për t’u ripaketuar sërish. Personazhet shqiptarë janë që nga ish-ministri i mbrojtjes, i biri i ish-kryeministrit, ish-drejtori i MEICO-s, kompanisë shqiptare të trajtimit të materialeve ushatarake, një biznesmen shqiptar dhe Kosta Trebicka, një tjetër biznesmen që do të humbiste jetën në rrethana misterioze më pas. Historia është jashtëzakonisht e komplikuar. Eshtë blerja e paligjshme e fishekëve dhe shitja e paligjshme nga shqiptarët që kishin mundësi tabënin në disa duar për të fituar para në të zezë. Ajo histori është botuar në faqen e parë të N Y Times-it, që kur mbërriti si e tillë në Tiranë, u konsiderua bashkë me brendinë e saj nga zoti Berisha si “…një letër higjenike”.
Historia tjetër që zbuloi më pas edhe të parën, ishte demontimi i municioneve të vjetra në Gërdec. Predha të rënda artilerie dhe aviacioni u dërguan në fshatin nën juridiksionin e bashkisë së Vorës për t’u demontuar në kushte çnjerëzore nga banorë të zonës, përfshi fëmijë dhe gra. Në 15 mars 2008 gjithçka u hodh në erë dhe 26 vetë vdiqën në vend. Në pak më shumë se një vit më pas, për ironi të fatit dhe mënyrës shqiptare të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, në Gërdec fituan pikërisht ata që kishin shkaktuar shpërthimin tragjik. Njëlloj sikur mbas dhunimit, viktimës i kërkohej edhe të duartrokiste dhunuesin. Siç dhe ndodhi realisht.
Nga të gjithë aktorët e tragjedisë janë shpallur fajtorë dhe janë ndëshkuar me heqje lirie tre amerikanët, disa nga personazhet shqiptarë të historisë, por jo ata të rëndësishmit. Standarti i dyfishtë i drejtësisë shqiptare në këtë rast funksionoi sipas standartit të saj më të mirë: i fortë dhe i pushtetshëm? Je pa faj dhe i respektuar!
Mendohet se ky ishte pikërisht momenti i kthesës dhe rrëzimit të gjithë ngrehinës antikorrupsion që kishte krijuar deri atëherë zoti Berisha, i rikthyer në pushtet me kalin antikorrupsion. Ky ishte momenti që ai nisi përpjekjet për të nënshtruar të gjitha strukturat e pushtetit dhe të pushteteve që do të mundnin të nxirrnin në dritë këtë histori, duke nisur që me drejtësinë e duke përfunduar me median.
Libri i amerikanit do të sulmohet fort në Tiranë, kryesisht si i pavërtetë, kryesisht nga personazhet e tij. Minimumi do të quhet trillim letrar. Do të luhet edhe me emrin e autorit që në shqip tingëllën me disa kuptime.
Në fakt ai është tashmë një peshë për të gjithë. Eshtë peshë për fajtorët e djeshëm që shohin të rihapet një histori për të cilën të dobtit kanë paguar me burg dhe me faturë politike të fuqishmit. Të parët kanë kryer dënimin dhe janë në liri. Të dytët kanë humbur pushtetin. Eshtë peshë edhe për të majtët në pushtet që kur ndodhi tragjedia premtuan drejtësi deri në pikën që do të përmbysej e gjithë bota e korruptuar e kundërshtarëve, por që tani ajo ditë ju duket e largët. Drejtësia pa kufi është mjet për opozitën, në pushtet është vetëm bezdi e të shkuarës. Sepse kjo është një histori e nisur nga mijëra kilometra larg, por që në Shqipëri shkaktoi dhjetra viktima të pangushëlluara. Dhe sërish nga mijëra kilometra larg vjen sërish një lajm nga SHBA; kësaj here ndëshkimi me turp për fajtorët e një tragjedie politike.