Nga Lorenc Vangjeli
Kush është në opozitë nuk e pranon vendin e pakicës, qorton, kundërshton, proteston dhe kërkon revansh për ta rinisur dhe njëherë garën me shpresë se do të ndryshojë rezultatin që nuk e pranon edhe kur e njeh si të tillë.
Kush është në pushtet pretendon se është akti i vetëm që duhet të ushtrohet në pafundësi dhe punon e gjykon hap pas hapi si të rikonfirmojë pushtetin.
Pa u shtyrë më tej, një vështrim në këto tre vjet e gjysmë mandati të majtë nuk kanë bërë përjashtim nga kjo ligjësi. E vetmja e re është loja e numrave, të cilat, duke u nisur nga këndvështrimi, besimi dhe shpresa që varen nga lojërat e numrave, shfaqeshin të ndryshme rast pas rasti. Si në pasqyrat kineze që shformojnë atë që kërkon të krihet para tyre.
E majta e ndërtuar në bazë të koalicionit mes PS-së dhe LSI-së si fituese e zgjedhjeve të 2013-ës, u zgjerua edhe me PDIU-në, por dhe me deputetë që largoheshin për motive të ndryshme nga opozita. Parimi që fituesi i merr të gjitha, edhe në këtë rast funksionoi duke bërë që kush fitoi në qershor 2013 me numra, vetëm t’i rrisë ato numra. Pikërisht ky bashkim forcash i dha kësaj shumice të drejtën të besojë se mund të bëjë e vetme dhe ndryshimet kushtetuese. Deri në momentin që erdhi reforma në drejtësi dhe në përplasje konceptesh brenda maxhorancës, u duk se shifrat brenda saj edhe mund të ndryshonin. Mrekullitë në politikë ose janë të rralla, ose janë të rreme, por një mrekulli e rrallë politike ndodhi pikërisht me reformën në drejtësi kur konsensusi shpëtoi llogaritë e pashmangshme me sherrin që pritej të vinte dhe me spiralen e sherrit që do të prodhonte pa asnjë dyshim arroganca e shifrave.
E djathta pati këtyre viteve fatin e opozitës. U tkurr edhe më tej për shkak të parimit që humbësi vazhdon të humbasë edhe më tej, edhe më shumë. Duke e parë politikën si llogari numrash – një mëkat që para saj e kishte bërë edhe PS-ja në opozitën e saj të dytë – PD bastin e rikthimin të saj në pushtet, e vuri tek ndarja e maxhorancës. Pra tek llogaria me numra: PS minus LSI. I vetmi hesap që u prodhua ishte shtimi i maxhorancës edhe me PDIU-në. Dhe meqë ky ka qenë boshti i politikës opozitare të PD-së, si reaksion gjithkund shihej, matej, kontrollohej dhe përgjohej temperatura e marrëdhënieve mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Vajti i pari tek zyra e të dytit apo i qeshi i dyti të parit kur u takuan në festën e rradhës, ishte dilema që kushtëzonte dhe humroin e opozitës në raport me pushtetin e nesërm. Nuk kishte qenë shumë ndryshe me PS-në në vitet 2009-2013, në fakt.
Gjashtë muaj para zgjedhjeve të rradhës, gjërat ngjajnë se kanë marrë drejtimin e rradhës. Në fillim, në dhjetor 2016, Lulzim Basha i tha tre herë “jo” mundësisë së një koalicioni me LSI-në në studion e Fevziut. Në vijim, në janar 2017, Ilir Meta i tha “po” me konsensus “jo”-së së Bashës për një koalicion të mundshëm me PD-në. Në studion e Vasilit.
Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe në fakt nga 2013-ta. Atëherë prokurorët e marrëveshjes PS e LSI ishin po të njëjtët me avokatët e marrëveshjes së bashkëqeverisjes së PD-së me LSI-në. Rolet janë po ato. Ndryshojnë aktorët dhe ngjyra e shpresave. Divorci për shembull është një shpresë se rimartesa mund të jetë e mirë, ashtu si një martesë e mirë e bën divorcin të jetë një mundësi e keqe. Por në politikë, ndryshe nga jeta e individëve, nuk ka martesa, por ka interesa. Dhe mbi bazën e interesave ka marrëveshje.