Plani Urbanistik i Bashkisë Tiranë parashikon shtimin me 25 hektarë hapësirë publike në Parkun e Liqenit, të cilat do të vihen në shërbim të qytetarëve të të gjitha grupmoshave që frekuentojnë këtë hapësirë rekreative në kryeqytet.
Bashkia e Tiranës, përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ka vijuar punën për rikualifikim e pjesës lindore të Parkut të Madh të Liqenit të Tiranës, duke liruar hapësirat e zëna nga ndërtimet pa leje, vendosjen e pistonave për kufizimin e qarkullimit të mjeteve motorike pa autorizimin përkatës, mbjelljen e pemëve të reja, krasitjen e atyre që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve, rikonstruksion e rrugicave, si dhe vendosjen e stolave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Besnik Bare, dhe drejtori i APR-së, Blendi Gonxhe, theksoi se përmes Planit të ri Urbanistik, Parkut të Liqenit i shtohen 25 hektarë, të cilat plani urbanistik i hartuar nga administrata e kaluar e Bashkisë ia kishte hequr parkut për efekt ndërtimi.
“Jo vetëm që iu kthye ajo që i ishte hequr për ndërtim, por edhe iu shtua pas gjithë atyre parkingjeve, lavazheve, moteleve e hoteleve, që e kishin pushtuar këtë zonë, pra hyrjen e Parkut të Liqenit nga rruga e Elbasanit. Sot kemi liruar një pjesë të madhe të hapësirës, kemi një trafik të limituar, që do të kufizohet me piston dhe sigurisht, që nuk do të ndërpresim aktivitetin e fakultetit që gjendet brenda territorit të parkut, por do të jetë i kufizuar vetëm për ata”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se ky është një tjetër premtim i mbajtur nga ana e Bashkisë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe për rikualifikimin e Parkut të Madh të Liqenit. /b.d