Nga 1 janari hynë në fuqi patentat e reja, ku janë shtuar 7 kategori të reja të lejeve të drejtimit. Drejtori i drejtorisë së Drejtuesve të Mjeteve, Shkëlqim Gruda, në intervistën dhënë gazetës “Panorama” shpjegon se mosha për vlefshmërinë e patentës është rritur.
Sipas Grudës, për kategoritë A, B dhe BE, patenta ishte e vlefshme 5 vjet kur merrej në moshën mbi 50 vjeç deri në 60 vjeç. Tani ky afat vlefshmërie është deri në moshën 70 vjeç. Gruda informon edhe për ndryshimet e testimit, ku numri i lejuar të gabimeve është 4 nga 7 që ishte më parë.
Nga 1 janari ka nisur zbatimi i rregullave për patentat e reja, cilat janë efektet e hyrjes në fuqi të udhëzimit?
Me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri nga 1 janari janë shtuar kategoritë e lejeve të drejtimit, nga 8 kategori leje drejtimi që ishin më parë bëhen 15 kategori leje drejtimi. Kategoritë shtesë së lejeve të drejtimit janë nënkategori të kategorive bazë. Po jap një shembull për ta sqaruar. Në lejen e drejtimit të kategorisë A përfshihen lejet e drejtimit të kategorisë A1 dhe A2. Ose ka pasur leje drejtimi të kategorisë B, tani shtohet dhe nënkategoria B1, apo te kategoria C shtohen kategoria C1. Kategori shtesë është leja e drejtimit të kategorisë AM, që shërben për të drejtuar çiklomotorë, ose mjete me 3 rrota, apo katër rrotë me cilindrat motori deri në 50 kubikë. Me leje drejtimi të kategorisë AM, qytetari mund të pajiset pasi të ketë mbushur moshën 16 vjeç, vetëm me provë teorie. Drejtuesit e mjeteve të pajisur me leje drejtimi të kategorisë B nga mosha 18 vjeç deri në 21 vjeç mund të pajisen me leje drejtimi të kategorisë A1, A2 vetëm me prova praktike. Ndërsa tarifat e shërbimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, nuk ndryshojnë. Për patentat aktuale, ato janë të vlefshme deri në përfundimin e afatit të vlefshmërisë.
Për herë të parë qytetarët do të pajisen me patentë për makinat me kambio automatike. A kanë të drejtë këta drejtues të drejtojnë mjete që kanë kuti shpejtësie manuale?
Drejtuesit e mjeteve që zotërojnë leje drejtimi kanë të drejtë të drejtojnë mjete si me kuti shpejtësie manuale, ashtu dhe me kuti shpejtësie automatike. Në vazhdim, duke nisur nga 1 janari, qytetarët kanë të drejtën të përzgjedhin ose të përgatiten për mjete me kuti shpejtësie automatike, ose për mjete me kuti shpejtësie manuale. Në qoftë se një qytetar përgatitet për mjete me kuti shpejtësie manuale, atëherë ka të drejtën e drejtimit të mjetit edhe me kuti shpejtësie automatike. Ndërsa, nëse fitojnë provimin për të drejtuar një mjet me kambio automatike, nuk kanë të drejtën të drejtojnë një mjet me kuti shpejtësie manuale. Për të fituar të drejtën për të drejtuar mjetet me kuti shpejtësie manuale, qytetarit i nevojitet të kryejë një kurs për teoritë praktike.
Si ndryshon mosha për pajisjen me leje drejtimi dhe afati i vlefshmërisë së tyre?
Mosha për vlefshmërinë e lejeve të drejtimit është rritur. Për lejet e drejtimit të kategorisë A, B dhe BE, patenta ka qenë e vlefshme për 5 vjet kur janë dhënë, ose konfirmuar për drejtuesit me moshë mbi 50 vjeç deri në 60 vjeç. Tani, afati i vlefshmërisë së patentës 5 vjet përfshin edhe moshën deri në 70 vjeç për lejet e kategorisë të drejtimit AM, A1, A2, A, B1, B, BE. Patentat kanë qenë të vlefshme 3 vjet për personat që e kanë marrë patentën mbi 60 vjeç, tashmë ky afat vlefshmërie është edhe për personat që marrin patentën nga mosha 70 vjeç deri në moshën 80 vjeç. Për moshën mbi 80 vjeç, afati i lejes së drejtimit është 3 vjet, e shoqëruar çdo vit me nxjerrjen e dëshmisë së aftësisë psikofizike që lëshohet nga komisioni shëndetësor. Ndryshime janë bërë edhe për kategorinë C të lejeve të drejtimit, ato kanë qenë të vlefshme 5 vjet për personat që e marrin atë në moshën 60 vjeç, mosha është rritur deri në 65 vjeç. Për moshat mbi 60 vjeç, patentat e kategorisë C, D, CE dhe DE janë të vlefshme 3 vjet. Për këtë moshë për kategorinë D dhe DE të lejeve të drejtimit, ku përfshihet drejtimi i taksisë, kjo moshë duhet që çdo vit të nxjerrë dëshminë e aftësisë psikofizike.
Po testimi për njohuritë teorike të kandidatëve për patentë si ndryshon?
Testimi për kategorinë e lejes së drejtimit AM do të jetë më vetë, pastaj do të jetë testimet bazë për kategoritë A, B, C dhe D. Konkretisht, testimi për kategorinë AM përmban 30 pyetje dhe numri maksimal i gabimeve të lejuara është 3. Për kategoritë A dhe B, testi përmban 40 pyetje dhe numri i lejuar i gabimeve është 4, nga 7 që ishte më parë. Për kategorinë C dhe C1, testi përmban 40 pyetje dhe numri i lejuar i gabimeve është 4, ndërsa për kategorinë D dhe D1 testi përmban 10 pyetje dhe numri i lejuar i gabimeve është 1./Panorama/b.d