Forca ndërkombëtare paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO është e vetmja forcë ushtarake e autorizuar të veprojë në Kosovë, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori italian Giovanni Fungo në intervistën për Koha Ditore.
I pyetur të komentoj deklaratat luftënxitëse të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili ka kërcënuar se do të dërgojë ushtrinë serbe në Kosovë “nëse vriten serbët”, gjeneral-major Fungo ka thënë se forca nën komandën e tij është e vetmja ushtri që mund të veprojë në Kosovë, duke përkujtuar se një gjë e tillë është përcaktuar edhe me Marrëveshjen e Kumanovës, të nënshkruar nga NATO dhe Serbia në qershor të vitit 1999.
Fungo, në intervistën e bërë me shkrim, ka thënë se gjatë fundjavës së kaluar, në kohën e tensionimit të situatës në veri dhe veprimeve të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për të parandaluar hyrjen e trenit ilegal nga Serbia, KFOR-i ka qëndruar në gjendje gadishmërie në rast nevojë. Por, ai e ka bërë të qartë se në situate të tilla, KFOR-i përfshihet “nëse kështu kërkohet si një përgjegjës i tretë, pas EULEX-it dhe Policisë së Kosovës”. (b.an)