Nga Ben Andoni
Procesi i Reformës në Drejtësi ka qenë një alibi e bukur e politikës shqiptare për vonesën e Reformës Zgjedhore. Rekomandimet e OSBE/ODHIR, pas zgjedhjeve të përgjithshme katër vjet më parë, vlenin në momentet e para, por palët s’patën kohë pasi ofendonin njëra-tjetrën për rezultatet dhe pastaj pasoi heshtja dhe kronika e amullt e Kuvendit tonë.
Ndërkohë, nëse Shqipëria do të ishte aq normale, një fakt për të cilën nuk kontribuoi dot as PS dhe LSI në koalicionin fitues por edhe PD: sistemi zgjedhor, përbërja e komisioneve zgjedhore dhe ndarja e zonave zgjedhore , duhet të ishin tashmë gati. “Ky është një rekomandim ndërkombëtar. Çdo ndryshim i elementeve të sistemit zgjedhor duhet të bëhet kohë më përpara dhe të jetë pjesë e diskutimi gjithëpërfshirës dhe transparent”, citohet ambasadori Borchard.
Nuk ndodhi asgjë e tillë dhe ato pak zëra, që janë ngritur në këto muaj për reformimin e procesit zgjedhor, janë mbytur nga kakofonia e zërave patetikë për Drejtësinë. E mu ashtu si ka ndodhur deri më tani, ndryshimet për Kodin Zgjedhor do ndodhin në fund për të mbetur të diskutueshme dhe shkak për sherrnajën, që pason zgjedhjet tona me ankimimet e pafundme. Problemi më i madh ishte në vitin 2013 ku vonesat bënë që Reforma Zgjedhore të mos bëhej gati fare. Paçka se infrastruktura njerëzore e Kuvendit mund ta përballonte në këtë mandat, si çështje ajo u la për “t’u plasur” nga ana e PD-së dhe aleatëve të saj pak orë më parë, ku kushti kryesor u vu numërimi elektronik. Ironia më e madhe është se vetë PD-ja s’ka kontribuar deri më tani në asnjë nga elementët e Reformës Zgjedhore, për të mos thënë se votohet me reformën e tyre.
Dhe, pa mohuar ndihmën që i jep mbarëvajtjes së procesit zgjedhor ky numërim me kohën e mbetur mundësitë janë të vogla dhe gati nul që ai të mbyllet. Jo sepse kërkon shumë më tepër se katër muaj porse mundësia dhe predispozita e të dy partive kryesore për të ndryshuar është shumë e vogël.
Është çartje të besosh se në këto zgjedhje bizneset nuk do shantazhohen, votat s’do të ngacmohen prej të fortëve, kurse komisionet s’do prodhojnë sherre prej militantëve të partive. PD-ja kishte mundësi të mos ia linte PS-së këtë status quo, e cila i leverdis shumë më tepër.
Në thelb kërkesat e Opozitës janë shumë të drejta dhe janë ato që duhet të qëndronin në bazë të procesit: realizimi i identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimin elektronik dhe numërimin elektronik të votave përmes një sistemi në shkallë vendi; dekriminalizimin përmes zbatimit të ligjit për dekriminalizimin dhe largimin e bandave; ulja e kostos së fushatës përmes reduktimit drastik të shpenzimeve; transparencë për burimet financiare dhe penalitetet duke përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë; përdorimin e burimeve njerëzore të administratës në fushatë dhe struktura partiake, si edhe materialet e administratës; akses i drejtë në media, mbulim mediatik dhe normim i hapësirës publicitare në fushatën zgjedhore.
Kërkesa në bazë të drejta, por të paimagjinueshme për infrastrukturën në terren të partive që tani kanë filluar kalkulimet kokë më kokë. Nga të dy partitë e mëdha, nga ku buron ku konfusion, po të kishte pak pastërti do kishte një Kod Etik që nuk do linte fotografimin e votës, do kishte pak sens mesveti për t’i vënë fre makutërisë me fondet dhe mbi të gjitha do frenohej përcjellja e asaj propagande të frikshme në të gjitha televizionet me kasetat përcjellëse.
Koha nuk pret por më keq akoma ndarjet që përfaqësojnë palët dhe koha e munguar do të na lerë sërish në të njëjtin stad sa i përket Reformës Zgjedhore, që të bën të mendosh se lajmi për ndryshimet në Reformën Zgjedhore s’përbën lajm. (Javanews)