Nga Skënder Minxhozi/
Bojkoti, ky term i keqpërdorur prej dekadash në jetën tonë politike, zuri papritur vend edhe një herë në projekt-axhendën e opozitës shqiptare. Demokratët kanë diskutuar gjatë këto ditë në lidhje me qasjen që duhet të kenë ndaj zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit, por edhe ndaj qëndrimit ose jo në parlament, apo protestave popullore. Siç ndodh rëndom me vendimet e vështira dhe të ndërlidhura me njëmijë fije të tjera, edhe me bojkotin nuk është e lehtë të manovrohet në një vit elektoral. Ku për më tepër, do të duhet të zgjidhet edhe një president i ri, e ku do të fillojë të “shdridhet” lëmshi i reformës në drejtësi, bashkë me efektet e tij të pritshme në elitën politike shqiptare.
Viti 2017 nisi me një sherr “muzikor”. Si për të treguar se palët kishin vendosur të ndaheshin edhe për gotën e rakisë së Shkelzen Dolit dhe qeleshet e bardha te orkestrantëve vjenezë. Reforma zgjedhore dhe me rradhë në listë, humoret e trazuara brenda koalicionit të majtë, përgatitjet për zgjedhjet, situata e majisur rajonale, kriza europiane dhe ndërrimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë – janë që të gjitha çeshtje që po mbajnë ndezur, sipas peshës që kanë, jetën politike të brendshme në Shqipëri. Megjithatë vendimmarrja për zgjedhjet e 18 qershorit duket si më e rëndësishmja, të paktën për palën që ka aktualisht tundimin që të mos shkojë në zgjedhje – opozitën.
Dje Lulzim Basha u duk se i fashiti dyshimet që u krijuan në orët e fundit. Ai deklaroi se opozita do të marrë pjesë në zgjedhje, porse kjo do të ndodhë përmes një procesi ashpërsimi të qëndrimeve ndaj maxhorancës. Basha e di mirë se në fushatën e tij formale dhe të pak të sinqertë për votimin elektronik, i ka të gjithë kundër. Qeverinë, por edhe ndërkombëtarët, të cilët e bënë të qartë përmes OSBE, se nuk ka më kohë për modifikime të tilla. Aq më tepër, që ambasadori i OSBE ofroi shembullin gjerman, ku votimi elektronik është hequr, sepse është parë si i papërshtatshëm.
Lulzim Basha vijon të ketë në katër muajt që na ndajnë nga fushata elektorale, të njëjtin problem strategjik që kishte që ditën e parë që u ul në poltronin e kryetarit të PD. Atij i duhet një platformë politike dhe zgjedhore, e cila të mbështetet tek imazhi solid popullor, pesha dhe besimi që ai vetë përçon si lider i opozitës. Dhe meqë themelet e kësaj platforme ngrihen mbi këto nocione që tek Basha janë ende të dobëta, të paqarta dhe flu, edhe vetë ngrehina që ai është munduar të ndërtojë këto katër vjetët e fundit, është gjithashtu josolide. Një një mandat kryesimi Lulzim Basha ka ndërruar emra, ka rinovuar lista, ka afruar apo larguar të vjetër e të rinj, ka hedhur teza, ka trashur zërin, ka kërcënuar, është përpjekur me të gjithë diapazonin dhe kapacitetin politik që disponon, që të krijojë një fabul rreth vetes. Mjerisht nuk ka mundur ta krijojë një të tillë. Sot ai vijon të shihet si një dublant, si një lider i dyzuar dhe që frymëzon pak.
Për pasojë edhe vendimmarrja për bojkotin, e cila lidhet njëherësh edhe me rrethana të tilla si qëndrimi i LSI, reagimi i ndërkombëtarëve dhe pesha elektorale e PD – është e vështirë për një lider që po shkon drejt zgjedhjeve me një tufë të madhe dilemash nën sqetull. Është e kotë ta fshehim: Basha dhe opozita tjetër e kanë të qartë se do ta kenë shumë të vështirë të dalin fitimtarë në 18 qershor. Kjo vetëdije shtyn, ndër të tjera, edhe drejt idesë së bojkotit të zgjedhjeve. Një alternative që prej më shumë se një dekade, është thuajse e pamundur ta ndërmarrësh në Shqipëri. Për arsyen e thjeshtë se dëmtohesh, në vend që të favorizohesh, paguan, në vend që të bësh të tjerët të paguajnë, izolohesh, në vend që të shtysh drejt izolimit kundërshtarët e tu. Bojkoti i takon një tjetër kohe, ai është një standart i Shqipërisë së viteve ’90 dhe opozita e di fort mirë këtë gjë. Në 18 qershor palët do përballen me arsenalin e armëve që kanë mundur të mbledhin. Zgjedhje tjetër përveç zgjedhjeve, nuk ka!