Ministria e Bujqësisë do të kërkojë një moratorium si ai i pyjeve për mbrojtjen e baseneve ujore dhe shtretërve të lumenjve.
Gërryerja që u bëhet lumenjve në mënyrë sistematike nga kompanitë private, sipas ministrit Edmond Panariti, është shkaku kryesor i përmbytjeve.
“Ndërhyrjet tona janë pak efektive në kuptimin e kanaleve, përderisa nuk mbrojmë lumenjtë tanë. Prandaj, zero tolerancë. Hapi i parë dhe i vendosur do të ketë të bëjë me një moratorim për shfrytëzimin pa kriter dhe marrjen e inerteve nga basenet ujore dhe lumenjtë”, ka deklaruar Panariti në një tryezë pune.
Ministri Panariti i kërkoi Inspektoriatit Shtetëror të Ujit të nisë një kontroll të imtësishëm në basenet ujore dhe të marrë masa ndaj çdo shkelësi.
Ky inspektoriat do të jetë i pari që do të funksionojë nga muaji shkurt përmes sistemit online, një formë e re inspektimi që sipas kryeinspektorit Shkëlqim Hajdari, shmang korrupsionin.
“Do të kontrollosh në bazë të një liste që e ke në memorien e lap top-it dhe në këtë kohë je duke u kontrolluar nga “Big Brother”, që është Inspetroriati Qëndror, që në kohë reale kontrollon të gjitha inspektimet në Republikën e Shqipërisë online. Rezultatin e kontrollit do ta prodhosh në vendin ku ndodhesh dhe ne jemi në gjendje që në kohë reale të vlerësojmë nëse inspektimi ishte i ligjshëm dhe ta falenderojmë trupën; ose nëse ishte i paligjshëm dhe ta penalizojmë trupën”, sqaroi Hajdari./tch/a.k