Nga Xheni Hatillari/
Unë nuk di të them se ç’tmerr ka përjetuar çifti i eksploruesve çek kur në Prekalë personi që po udhëtonte me ta vendosi të shenjojë kthesën e udhëtimit të tyre.Unë nuk e di këtë sepse herën kur më rastisi të udhëtoj e vetme mes periferisë së Pragës, vendasit që hasa nuk mbanin në duar pistoleta por me gishtin tregues dhe plot mirësjellje më treguan rrugën që kërkoja.
Sot çifti çek u bënë një shtojcë më shumë në listën e bilanceve të ndonjë Agjensie shtetërore,lajmi kryesor ne televizionet e etura për lajme në këtë periudhë post-elektorale dhe sigurusht nxitja e zgjimit të ndërgjegjes publike për t’i kërkuar ndjesë gjithë Republikës Çeke.
Por Michael-in dhe Anën s’i vrava unë. Pse duhet të kërkoj ndjesë për krimin e kushedi ç’kusari malesh që si pasardhës i mijëvjeçarit të ri të kunetërve të mëdhenj të Rozafës,e la besën me një anë e ne tjetrën vuri kuletën? Nuk është faji im që besa e mikpritja nuk mëkohen më me qumështin e gjirit atyre anëve të vendit tim. Unë jetoj në Tiranë e këtu turistët blejmë harta pranë kioskave te Opera.
Por ama, Ana dhe Michael, edhe unë isha në atë shkrepje këmbëze.
Unë dhe ata që njoh,ata që s’njoh,ata që bëjnë elozhe dhe ata që lexuan Bajronin që fliste për Shqipërinë e rrept’ të burrave të egër dhe i besuan!
Vërtetë ne i vramë, që mallëngjehemi me klipe 50 sekondëshe nacionaliste kompanish që qëndrat i kanë në Tiranë,jo në Prekalë! Ne që harrojmë që ajo figura e errët e vrasësit të tyre në mesnatë është pjellë e Shqipërisë sime, tënde. Që harrojmë anën e errët të natyrës së virgjër të Alpeve dhe e besojmë që malësorit ia mban xhepi dhe shpirti të jetë mikpritës dhe i besës siç ia do zakoni!
Hajde de, më prangosni, hë!
E më pas le të ngremë në qiell rankimet e revistave e portale prestigjoze që bëjnë për ne,le të brohorasim drejt qiellit për nacionalizmin tonë shpesh naiv dhe të gënjejmë haptazi që qënkërshim Europianë.
Kusarin s’po e gjej dot më,mu shumëfishua e mori trajta të tjera,më humbi mes malesh që me siguri as do më shkoi mendja t’i vizitoj.
Ana dhe Majkëll ama, për ju do ta ndez një qiri edhe pse jeta s’na përplasi dhe siç ma treguan mua rrugën në Pragë,t’iu tregoja me gisht kufirin më të afërt të iknit një orë e më parë!
“Shkëmbinjt’ e tyre s’janë më të patundur
Nga ata në çast rreziku e nevoje.” tha Bajroni e ndaç mos e besoni, o shqiptarë!