Tre persona janë vënë në pranga pas plagosjes së 26-vjeçarit Eglion Zuna pasditen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Pas disa hetimeve të kryera policia njofton se në një kohë të shkurtër bënë të mundur zbardhjen e ngarjes, identifikimin e autorëve të dyshuar si dhe arrestimin në flagrancë të Adam Ademit, 21 vjeç për plagosje me dashje, Arben Ademin, 54, si bashkëpunëtor të autorit, dhe vetë të plagosurin Eglion Zuna, për armëmbajtje pa leje.
Sipas policisë, në momentin e ngjarjes, shtetasi Eglion Zuna (i dëmtuari), ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij, tip “Benz”me targë AA 550 DX, në shoqërinë e shtetasit Adam Ademi dhe një shtetase të huaj. Ademi e kreu plagosjen me një pistoletë TT, që ishte në pronësi e të dëmtuarit Zuna, para se të largohej me mjetin.
Pistoleta me të cilën u krye plagosja u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale në Hotelin “Redbriks”, pronë e shtetasit Arben Ademi, i cili ka kundërshtuar forcat e policisë në kryerjen e detyrës. Ndërkohë 26-vjeçari i plagosur u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia njofton se po punon për sqarimin e plotë të ngjarjes edhe pse paraprakisht dyshohet se mund të ketë ndodhur aksidentalisht. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:40, pranë “Radio Shkodrës”, te ish “5 Heronjtë”.