Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij në Facebook Amarcord ka përkujtuar sot lindjen e Ismail Qemailt më 16 janar 1844. Ai e ka shoqëruar postimin me një fotot të rrallë të ismail Qemalit në rininë e tij.
Ja postimi i Ramës:
“AMARCORD
Kjo fotografi e Ismail Qemal Vlorës, në moshën e shpresave dhe ambicieve djaloshare, ndoshta nga më të bukurat dhe shprehëset e personalitetit të këtij kolosi të historisë së Shqipërisë, rrezaton një energji të posaçme.
Në librin Shqipëria dhe Napoleoni, Augustin Boppe shkruante se Shtëpia e Vlorave, nderohej në një mënyrë gati mistike nga krerët e familjeve të mëdha e nga vegjëlia po ashtu dhe se, përfshirja e saj në fatet e Shqipërisë, ishte pothuajse një fatalitet, më së shumti ogurmirë, të cilit askush, madje as Ali pashë Tepelena në kulmin e tij, nuk mund t’i kundërvihej dot tërësisht.
Nga kjo derë e parë e Shqipërisë doli i plotfuqishmi në virtute dhe modesti në pretendime, Ismail Qemal Vlora, i cili më 16 janar 1844 pa për herë të parë dritën e një jete të mbushur me vështirësi të panumërta por edhe me realizimin e një ëndrre së cilës i’u bë edhe kumbar: Pavarësia e Shqipërisë dhe vetvendosja e shqiptarëve”, shkruan Kryeministri Rama në postimin e tij në Facebook.