Në një kohë, kur Ministria e Drejtësisë njofton se ka nisur inspektimet në gjykatat e Shkodrës, jo zyrtarisht mësohet se institucionet e drejtësisë në vend kanë pasur dijeni për vendimet e shpallura ndaj Sokol Mjacajt, në lidhje me gjykimin e tij të mëparshëm për vrasjen e 13-vjeçarit, Agim Lera.
Burimet jozyrtare pohojnë për Top Channel se, prindërit e fëmijës së vrarë janë ankuar përmes një letre pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë pasi Gjykata e Apelit Shkodër u tregua tolerante ndaj 3 të akuzuarve për vrasjen e fëmijës, ku edhe u ndryshua kualifikimi për Sokol Mjacajn, nga “për vrasje në rrethana cilësuese”, në “moskallëzim krimi”.
Të njëjtën letër, prindërit e fëmijës së vrarë, në vitin 2013 ia kanë dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që përpjekjet e tyre për të marrë drejtësi nuk janë përfillur as nga Gjykata e Lartë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Shkodrës.
Për vrasjen e 13-vjeçarit, Sokol Mjacaj është gjykuar si i mitur, për shkak se në atë kohë ishte 15 vjeç. Ai dëshmoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës se, krimin ia kishin rrëfyer dy shokët e tij, të cilët e masakruan fëmijën për dy telefona celularë.
Por, Gjykata e Shkodrës e konsideroi edhe Mjacajn fajtor dhe bashkëpunëtor në krim, madje – në vlerësimin e gjykatës – ishte Mjacaj, ai që e kishte çuar të miturin në vendin ku do të vritej. Për këtë arsye, për shkak të parashikimeve që mban ligji për të miturit, atij iu dhanë 10 vite burgim.
Por, ishte Gjykata e Apelit Shkodër, ajo që përmbysi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar Mjacajn vetëm me një vit e 6 muaj heqje lirie, por kësaj radhe jo për vrasje, por për moskallëzim krimi. Ky vendim, më pas u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, e cila i hapi “dritën jeshile” Sokol Mjacajt për t’iu drejtuar lirisë.