Nga sot, 482 nxënës të shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët” në Njësinë 8, do të kenë mundësi të studiojnë në mjedise të reja. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës u mundësua përfundimi para kohe i rehabilitimit të mjediseve dhe instalimit të sistemit të ngrohjes në këtë shkollë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Ervin Bushati, tha se tashmë shumica dërrmuese e institucioneve social-arsimore në Tiranë janë me ngrohje dhe kanë të gjitha kushtet për të vazhduar normalisht procesin mësimor.
“Që në orën 5:00 të mëngjesit janë hapur të gjitha kaldajat në të gjithë qytetin e Bashkinë e Tiranës, për 200 institucione shtetërore. Nuk kemi pasur asnjë problem për kopshtet dhe çerdhet, kurse në shumicën e 200 shkollave situata është totalisht e normalizuar nga ndezja e kaldajave që herët në mëngjes për të përballuar këtë stinë të ftohtë. Sigurisht, kemi ende disa problematika në disa nga shkollat rurale, por për të gjithë ata që ankohen për çështjet e ftohjes ose për çështje të sistemeve të ngrohjes nëpër shkolla, i kujtoj se deri para 1 viti e kishin Tiranën në dorë, na lanë vetëm 2 shkolla me ngrohje nga 200 gjithsej. Sot jemi në një situatë kur themi se kemi vetëm 2 pa ngrohje”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që për çdo problematikë të njoftojnë në numrin e vendosur në dispozicion nga Bashkia.
“Duke qenë se proceset e ngrohjes janë teknike dhe kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme vëmendje për çdo defekt nga Bashkia e Tiranës, dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të lajmërojnë në numrin e bashkisë 0 800 0 888. Është e vetmja mënyrë se si në mënyrë të vazhdueshme mund të kemi vëmendje në dhjetëra apo qindra institucione që menaxhon bashkia”, tha ai.
Pas kalimit të situatës emergjente, si pasojë e motit të acartë që kaloi Tirana, kreu i bashkisë falenderoi drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe prindërit e nxënësve për solidaritetin e treguar për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
“Tani që më e keqja kaloi, dua gjithashtu të falenderoj shkollën dhe të gjitha shkollat e Tiranës, që jo vetëm u bënë pjesë e fushatës solidarizuese, por shkuan edhe një hap më tej, shumë prej mësuesve ishin vullnetarë, shumë prej nxënësve sollën tesha dhe ushqime nga shtëpia. Besoj se investimin më të madh e bëmë te fëmijët e vegjël, që teksa panë këtë valë solidariteti, mësuan se në një qytet, edhe pse jemi bërë 1 milionë, ende do duhet të ruajmë konceptin që të shkojmë në ndihmë të njërit që ka nevojë në ditë të vështira”, tha Veliaj.
Deputeti i PS, Ervin Bushati falenderoi Bashkinë e Tiranës për investimin e kryer dhe për vëmendjen e treguar ndaj fëmijëve. “Falenderojmë shumë Bashkinë, që në ndihmë të komunitetit, sidomos me një pjesë të shoqërisë, që janë fëmijët, tregohet kaq e kujdesshme dhe ngrohja në këto ditë të ftohta është një nga nevojat më të mëdha që kanë si fëmijët, ashtu edhe familjarët, ndihen më të sigurtë që i kanë sjellë në një shkollë të ngrohtë”, tha Bushati.
Nga ky investim është bërë hidroizolimi i tarracës së godinës së shkollës në gjithë sipërfaqen; shtrimi i klasave me pllaka, si dhe janë kryer sistemime të jashtme. Gjithashtu, është bërë i mundur rikonstruksioni total i nyjeve sanitare; i rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve; i rrjetit elektrik, është realizuar sistemi i ngrohjes për gjithë shkollën dhe vendosja e aerotermave dhe e sistemit të ventilimit për palestrën.
ma.me