Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti i Francës Francoi Hollande kanë komentuar situatën dhe atë që do të ndodhë me Greqinë, pas referendumit të mbajtur ditën e djeshme ku populli grek i tha “jo” masave shtrënguese të Bashkimit Evropian.
Në një konferencë të përbashkët, kancelarja gjermane Merkel theksoi se BE e respekton vendimin e popullit, dhe se dera është e hapur për negociata. Por nga ana tjetër ajo shtoi se çdo shtet duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
Sa i përket daljes së Greqisë nga Eurozona, Merkel nënvizoi se ky vendim do të duhet të merret pasi të dëgjohet zëri edhe i 18 vendeve të tjera të BE-së.
“E respektojmë vendimin e popullit grek. Dera është e hapur për negociata, por çdo vend duhet të tregojë përgjegjësinë e tij. Së bashku do të shohim reagimin e 18 vendeve të tjera. Kjo është demokraci gjithashtu.” u shpreh Merkel
Nga ana e tij, Presidenti francez Hollande e cilësoi këtë si një moment mjaft të rëndësishëm ku BE-ja duhet të marrë përgjegjësi. Hollande nënvizoi se vendimi për Greqinë do të merret të martën në Samitin Evropian.
Por Hollande tha se dera për Greqinë dhe negociatat me të mbetet e hapur, pasi të dëgjohen edhe propozimet e kryeministrit Aleksis Tsipras.
“Evropa po përballet me përgjegjësi. Dera është e hapur për diskutime me qeverinë greke. Greqia ka nevojë për reforma. Të martën Samiti Evropian do të marrë një qëndrim.” tha Hollande