Një ditë pas atentatit të ndodhur në rrugën “Ismail Qemali”, në zonën e ish- bllokut në kryeqytet, policia ka shoqëruar pesë persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarjen, ku u plagos biznesmeni Artur Aligjoni.
Burime të drejtorisë së Policisë së Tiranës, thanë se të shoqëruarit janë persona që dyshohet se kanë lidhje me Halim Hysën, 35-vjeçari nga Tirana i cili është pronar dhe instruktor i një palestre në Kodër Kamëz.
Ky i fundit ka mbetur i plagosur me thikë në muajin shtator të vitit të kaluar, ndërsa i dyshuar për ngjarjen ka qenë Aligjoni.
Në atë kohë Aligjoni, u ndalua, por për shkak se plagosja qe e lehtë dhe personi nuk pati probleme për jetën, i dyshuari u hetua në gjendje të lirë.
Burimet e policisë thanë se personat shoqëruar kanë pretenduar se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ndërkaq nga ana tjetër i plagosuri, 45 vjeçari Artur Aligjoni, iu tha tha oficerëve të policisë se nuk e kishte parë personin i cili qëlloi ndaj tij, raporton “Tv Klan”.
Pavarësisht pretendimeve të Aligjonit, hetuesit e policisë dyshojnë se ai nuk ka dëshirë të flasë mbi ngjarjen. Hetuesit tashmë janë përqëndruar në marrjen e informacioneve dhe të dhënave të tjera që lidhen me atentatin e mëngjesit të të shtunës ku Aligjoni u qëllua me armë zjarri./a.k