Në pjesën veriore të Mitrovicës sot është mbajtur një demonstratë e serbëve, në të cilën është protestuar kundër “përpjekjes së shtypjes dhe frikësimit të serbëve në pjesën veriore” të Kosovës. Raportohet se në këtë protestë kanë marrë pjesë mijëra vetë.
Kjo protestë, në të cilën pjesëmarrësit kanë bartur flamuj të Serbisë, u mbajt për ta kundërshtuar ndaljen e mbrëmshme të trenit nga autoritetet e Kosovës.
Treni, që ishte nisur dje më herët gjatë ditës nga Beogradi për në pjesën veriore të Kosovës, ishte i dekoruar me ngjyra të flamurit të Serbisë dhe në të shkruante “Kosova është serbe”.
Autoritetet e Kosovës mbrëmë urdhëruan ndaljen e trenit, pasi vlerësuan se ishte “provokim i radhës nga Serbia”.