Nuel Kalaj biznesmeni nga Prizreni, mik i Shkëlzen Berishës, ka pasur një rol kyç në privatizimin e OSHEE-së tek CEZ.
Pavarësisht se qeveria shqiptare e kohës deklaroi se negociatat për këtë privatizim strategjik nisën në 2008-n, Kalaj punonte për këtë punë që në vitin 2005 kur Sali Berisha erdhi në pushtet.
Për 4 vite rresht ai me njohjet e tij të afërta me familjarë të Berishës dhe ministra të kabinetit ët tij, përgatiti terrenin për shitjen e gjigantit të shpërndarjes tek cekët, në kushte jo shumë të favorshme për palën shqiptare.
Report TV zbardh korrespondencën e Nuel Kalajt me drejtorin e madh të CEZ-it në Çeki , Roman Martin. Në këtë dokument ekskluziv faktohet se negociatat kanë nisur që në 2005.
“Më vjen keq sinqerisht të shoh se pas një pune të lodhshme 4 vjeçare për CEZ-IN, dhe luftës që kam bërë që një kompani e suksesshme si CEZ-i të hynte në tregun energjitik shqiptar, probleme të tilla të shkatërrojnë frytet e një pune të vështirë, punë që unë dhe zoti Petran kemi bërë për muaj e muaj me radhë, negociata pas negociate që u finalizua me sukses me privatizimin e OSSH” shkruan Kalaj në emailin drejtuar drejtorit të madh të CEZ-it, ku ankohet për punën e drejtuesit të CEZ-it në Shqipëri Jozef Hejsek. Emaili daton më 7 shtator 2009, kohë kur privatizimi i CEZ ishte kryer. /shqiptarja.com/b.d