“Vota e qytetarëve grekë projekton Athinën e Bashkimin Evropian drejt skenarëve të panjohur, e që kërkojnë nga të gjithë sensin e një përgjegjësie të fortë, largpamësi e një vizion strategjik”.
Ky ishte komenti i parë i Presidentit të Italisë Serxhio Mattarella, menjëherë pas shpalljes së rezultatit të votimit të referendumit grek.
Vota e mbi 61% votuesve grekë, për t’i thënë “jo” masave shtrënguese nga Evropa ka shkaktuar euforinë e euroskeptikëve italianë si dhe të gjithë atyre forcave politike si Lëvizja 5 Yje, Lidhja e Veriut, SEL etj., që e kanë bazuar platformën e tyre politike në një betejë të hapur kundër politikës ekonomike e monetare të Bashkimit Evropian.
Për Matteo Salvini, liderin e së djathtës ekstreme Lidhja e Veriut, rezultati i referendumit grek, duhet të merret shumë në konsideratë nga kryeministri italian Matteo Renzi. Sipas Salvinit, Europa duhet të ndryshojë traktatet e saj dhe mbi të gjitha politikën monetare.
“Meqë ka fituar vota “Jo”, ky fakt është një shuplakë për politikën evropiane që po na çon të gjithëve drejt urisë”. u shpreh ai
Ndërsa krahu i djathtë i kryeministrit Matteo Renzi, Ministri i Ekonomisë Pier Karlo Padoan, në deklaratën e tij, nuk e ka humbur optimizmin e besimin se ideja për një Evropë të bashkuar nuk është zbehur.
“Italia, gjithmonë ka punuar e punon për një Evropë të fortë e sa më shumë e integruar. E tillë ishte dje dhe e tillë do të jetë dhe nesër.” tha ai
Për sa i përket ekonomisë, Ministri italian ka theksuar nevojën e zbatimit të reformave dhe rregullave për të garantuar rimëkëmbjen ekonomike, punësimin e mirëqenien e vendit.
Nga Athina ku ndodhet për të mbështetur qeverinë e Tsipras e popullin grek, lideri i Lëvizjes 5 Yje, Beppe Grillo ka deklaruar se rezultati i këtij referendumi, detyron kancelaren gjermane Merkel e bankierët europianë të reflektojnë shumë.
“E ky është vetëm fillimi. Tani popullin grek e pret një e ardhme me plot perspektivë. Kjo është demokracia e vërtetë.” tha Grillo