Nga hyrja në fuqi e Ligjit për “Dekriminalizimin” e deri më tani, janë dërguar në Sektorin e Verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme mbi 500 raste.
Pjesa dërrmuese e rasteve janë përcjellë nga Departamenti i Administratës Publike-DAP, duke qenë se ka edhe numrin më të madh të subjekteve që vetëdeklarojnë në kuadër të ligjit për “Dekriminalizimin. Pjesa tjetër ka ardhur nga institucione si KQZ, Presidenca, Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave.
Për rreth 50 raste është konstatuar fakti se u ndalohet të ushtrojnë funksione publike (pra, janë raste kur i kanë deklaruar problemet me ligjin penal, të cilat u ndalojnë të jenë funksionarë publikë), shkruan “Panorama”.
Deri me tani, dy jane deputetet e Kuvendit qe u eshte hequr mandati si subjekt i ligjit te dekriminalizimit, Dashamir Tahiri dhe Shkelqim Selami.
Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka në proces verifikimi 15 raste zyrtarësh, që u janë marrë shenjat e gishtave, pritet të kërkojë analizimin e gjurmëve edhe për 15 të tjerë. Në këtë mënyrë, siç mëson gazeta “Panorama”, numri i zyrtarëve të nivelit “të mesëm” dhe “të lartë” të cilëve, veç dokumentacionit dhe informacioneve të tjera, u kërkohen gjurmët e gishtave, do të shkojë në të paktën 30.
Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar indiciet e saj për dënime ose precedentë penalë të këtyre zyrtarëve jashtë vendit në emigracion dhe pritet që brenda janarit të kërkojë analizimin e shenjave të gishtave.
Burime të gazetës kanë thënë se hetimi me analizimin e shenjave të gishtave është kërkuar “veçanërisht për ata zyrtarë, të cilët ka rezultuar se kanë përdorur disa identitete, duke u prezantuar me emra të ndryshëm gjatë qëndrimit në emigracion”.
Pasi raportoi sot se Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar zyrtarisht Kosovës me anë të nje letër-porosie, ku si objekt eshte verifikimi nëse shtetasi Flamur Noka është ndaluar në Prizren në vitin 1991 nga policia e ish-Jugosllavisë, “Abcnews” shkruan se prokurorët e sektorit të verifikimit të formularëve të dekriminalizimit, kanë nisur hetimet edhe ndaj dy deputetëve të tjerë te Kuvendit te Shqiperise, që dyshohet se janë dënuar jashtë territorit shqiptar.
Ky hetim, ka nisur pas informacioneve të ndryshme në formë shkresore të ardhura në prokurori, sipas te cilave pretendohet se deputetët janë dënuar jashtë Shqipërisë me gjeneralitete të tjera.
Ata dyshohet se kanë përdorur identitetin e personave të tjerë në momentin kur janë proceduar në shtetet përkatëse.
Për këtë dyshim, mësohet se prokuroria ka kërkuar me anë të letër-porosive shenjat e gishtërinjëve për këto dy persona, të cilët dyshohet se identitetin e tyre e kanë përdorur dy deputetët tashmë të Kuvendit të Shqipërisë.
Por deri në ardhjen e kësaj përgjigje, zyrtarët e prokurorisë nuk preferojnë të identifikojnë emrat e personave që akuzohen me këto letra shkresore, ardhur në institucionin e akuzës nga individ të ndryshëm./a.m.