Beogradi zyrtar ka ashpërsuar tonet ndaj Kosovës pas vendimit për të mos lejuar hyrjen në veri të trenit të nisur nga Beogradi me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Pas stacionimit të forcave speciale kosovare në veri, pranë kufirit, treni ndaloi në Rashkë, pak para se të hynte në Kosovë. Kjo pasi autoritetet kosovare paralajmëruan ndalimin e trenit “me çdo çmim” siç tha presidenti Thaçi. Këto zhvillime pasuan me një konferencë të kryeministrit serb Vuçiç. Ky i fundit foli me tone të ashpra deri edhe me kërcënime ndaj shqiptarëve.
Ndërkohë nuk vonoi as reagimi i kryeministrit kosovar Isa Mustafa. Ai tha se nuk mund të lejohen provokime që mund të sjellin situata të paparashikueshme.
“Serbët duhet të mbesin në tokën e tyre e shqiptarëve u them mos u përpiqni t’i sulmoni serbët me armë, sepse Serbia do të reagojë. Ua kam tërhequr vërejtjen të tjerëve që po heshtin. Për ne është problem nëse dikush i vret serbët. Nuk e lejojmë askënd që t’i vrasë serbët. Silluni me përgjegjësi dhe se paqja është në interes të të gjithëve. Mos luani dhe mos e rrëzoni atë që e kemi punuar gjatë – paqen. As gjyveçi, as çokollata e as treni s’është kërcënim për askënd. 50 autobusë në ditë [nga Kosova] kalojnë në Serbi dhe asnjëri nuk ka problem. Le ta kuptojnë mirë se çka i porosita. Dhe mos na u kërcënoni se as unë nuk po kërcënohem, por lutje që mos t’i vrasin serbët. Kur e kanë parë serbët se çka po bëjnë shqiptarët, i kanë rrethuar policët shqiptarë dhe pastaj, pa lejen e askujt, i kanë nisur 17 vetura të blinduara Cobra të njësisë speciale ROSU me dëshirën e nisjes së një konflikti i cili do të ishte i përmasave të mëdha”, ka thënë Vuçiq.
“Ju falënderoj të gjithëve për përkrahjen e jashtëzakonshme. Qeveria me gjitha dikasteret e saj janë angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve që në mënyrë intensive dhe në mënyrë profesionale të trajtoj këtë çështje. Së bashku me Veselin dhe Thaçin kemi marrë gjitha masat që të informojmë faktorin ndërkombëtar për këtë situatë dhe po ashtu të ndërmarrim masa që na takojnë në përputhje me kushtetutën që të adresohet ky problem.Kemi marr vendim që në përputhje me situatën të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese. Kthimi mbrapa i trenit është veprim i duhur.
Nuk do të lejojmë provokime të këtilla që do të lejonin kthimin e konflikteve të paparashikueshme në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
/a.m.