Vijojnë lëkundjet ‘misterioze’ në qytetin e Elbasanit. Sipas qytetarëve, lëkundjet e tokës vijojnë që prej ditës së djeshme, ndërsa pas aludimeve për shpërthime tek uzina e Mjekësit dhe ish Rafineria e Cërrikut, policia ka inspektuar zonën për të parë nga afër situatën.
Më herët Zyra e Emergjencave Civile në Prefekturën e Elbasanit sqaroi për ‘BalkanWeb’ të vërtetën e lëkundjeve misterioze të tokës gjatë gjithë ditës së premte. Mustafa Arapi tha se bëhet fjalë për disa tërmete me magnitudë të ulët.
“Gjatë 24 orëve të fundit në Elbasan janë regjistruar 7 lëkundje të lehta të tokës. Lëkundja më e fortë ka qenë 3,6 ballë në Jug të Elbasanit në zonën midis Mjekësit dhe Kuqanit. Nuk ka dëme materiale. Nga lëkundjet është krijuar panik pasi kanë qenë të shpeshta”,- sqaroi ai.
Ndërkohë sipas Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit rezulton se edhe gjatë ditës së sotme ka pasur disa tërmete ne qarkun e Elbasanit. Sipas IGJEUM, tërmeti i fundit është ndjerë në orën 15:03 minuta me magnitudë 2.7 ballë rreth 3 km nga Elbasani./a.m.