Kryetari i Nisma për Kosovën Fatmir Limaj, në mëngjesin e të premtes është paraqitur në Gjykatën Themelore të Gjakovës. Limajt i është ngritur aktakuzë për krime lufte që lidhet me dy vrasje të civilëve shqiptarë në Komunën e Malishevës, njofton Klan Kosova.
Vrasja sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka ndodhur gjatë periudhës së luftës derisa Fatmir Limaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj për mos-ndërmarrje të masës së arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo ndaluar vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, njofton Klan Kosova.
Sipas Prokurorisë Speciale, Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari, referoi Blic. (b.an)