Nga Blerina Karagjozi
Mesa duket erdhi momenti të shkel në një temë të nxehtë, temë për të cilën e di që do kem këndvështrime të ndryshme nga miket e mia. Po e provoj!
Një nga mendimet që gjithnjë i kam në kokë, lidhet me pyetjen se çfarë duam ne femrat? Dhe sot në mëngjes teksa bëhesha gati për në punë, nga gjithë gjërat për të cilat një njeri mund të mendojë para pasqyrës, unë zgjodha në mënyrë të pavarur pikërisht këtë. Përse? Këtë nuk e di.
Ajo për të cilën jam e sigurt në këtë çast është se sot ishte një mëngjes i bukur, që filloi në mënyrën e duhur dhe sigurisht ndikoi në gjendjen emocionale të kësaj dite. Dielli lart në qiell, qielli blu, pemët në kulmin e gjelbërimit të tyre, ajri i fresket i mëngjesit, vajza që më kënaqi me disa biseda fëminore gjatë rrugës për në kopësht, e pastaj kur mbërrita në destinacion dhe gjej një vend parkimi si me porosi, më bëri të mendoj se po kjo ditë qenka një ditë vërtet e bukur të cilës duhet t’i gëzohem medoemos.
Pyetja 1 milion dollarëshe se çfarë duan femrat, për t’u treguar e sinqertë deri në kockë, duhet drejtuar nga vetja, çfarë duam, apo çfare dua? Ah sikur të ish kaq e lehtë të gjeja përgjigjen…
Për vite me rradhë kam besuar se çdo gjë që ndodhte në këtë jetë kishte patjetër lidhje shkak-pasojë me diçka që do të vijonte. Besoja se dhe era që frynte mund të ndikonte tek e ardhmja, dhe jo vetëm kaq, nëse jeni gati për një ekspertizë të detajuar, më mirë merrni një bllok dhe mbani shënim…
Kujdes!!! Sot kam vendosur të shkruaj me fjali të theksuara.
Në mënyrë që në blogun tim mos të merren shumë personalisht ato që unë shkruaj pra mendoj, vendosa që sot të shkruaj jo thjesht për veten, sepse e di që ndonjë moskuptim i vockël dhe mund të ndodhë, prandaj po përpiqem të shkruaj sa më thjesht e sa më në mënyrë të përmbledhur.
Mbi të gjitha femrat duan të ndjehen në qendër të vëmendjes. Kjo vlen për çdo moshë, gjendje, status apo humor.
Sigurisht dëshirojnë të ndjehen të rrethuara me dashuri dhe energjinë pozitive që vetëm kjo ndjenjë mund të ta ofrojë. E keni vënë re kur ndonjë femër shkëlqen si e rrethuar me një aureole drite, e pikërisht ajo dritë zë fill në sytë e saj. Po, ajo është e dashuruar! Nuk ka bukuri më të madhe për shpirtin njerëzor se sa të ndjehet i dashuruar!
Theksova vëmendjen ndaj femrës, sepse tek vëmendja shoh jo vetëm dashurinë, por respektin, mendimin, vendosjen e saj në qendër, rrethimin me atë kujdesin e veçantë për të cilën aq shumë femrat kanë nevojë, për mënyrën e butë dhe të spikatur të trajtimit të saj si një objekt për t’u admiruar në qenësinë e vetë, më kuptoni kurrë nuk mund ta mendoj femrën si objekt por në këtë rast dëshiroj të shpreh unikalitetin e qenies sonë duke e kthyer në një objekt dëshire dhe admirimi.
Po mendoj se dhe unë e di se çfarë duam ne, ne duam të jemi femra!