I dyshuar si një kriminel i lindur gjakaftohtë, ka dalë disa herë para trupave të gjyqësorit shqiptar. Por Sokol Mjacaj ka mundur tua hedhë të gjithë juristëve në Shkodër e në Tiranë, të cilët janë marrë me dy cështjet e tij, njëra me pasojë vdekjen e një fëmije.
Arrestimi më i fundit daton më 25 korrik të vitit 2014 për vjedhje. Më 24 dhjetor të vitit 2014 gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e ka dënuar atë me 1 vit e 6 muaj burg. Ky dënim i është ulur në 1 vit, pasi ai e ka pranuar krimin dhe ka përfituar uljen me 1 / 3.
Ai e apeloi vendimin duke i kërkuar gjykatës së apelit të Shkodrës të marrë në konsideratë faktin se ishte vetëm 19 vjec. Më vonë ka hequr dorë nga ankimimi.
Dënimin e përfundoi pak ditë para se të vriste në Prekal dy turistët cekë, Mikael Svatos dhe Ana Kosinova.
Historia kriminale e Sokol Mjacajt nis më 11 shtator të vitit 2010. Së bashku me vëllezërit Edmond e Besnik Kodra, atëherë në moshën 15 vjecare ai merr pjesë në vrasjen barbare të Agim Leraj. I mituri është keqtrajtuar, është goditur me sende të forta në kokë, në trup e gjymtyrë dhe është mbytur me duar dhe me një zinxhir që e kishte në qafë. Autorët i kishin kërkuar t’u siguronte një sasi marijuane, por ai kishte refuzuar duke u thënë se nuk kishte mundësi t’ua gjente.
Sokol Mjacaj ia kishte treguar krimin babait të tij, Franit. Kur ishte pyetur në polici, e kishte mohuar vrasjen, por më pas kishte treguar vendin ku gjendej trupi i viktimës.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e dënoi me 10 vjet burg për veprën penale “të vrasjes së kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”.
Mjacaj e apelon vendimin. Më 4 janar të vitit 2013 Gjykata e Apelit të Shkodrës, e përbërë nga gjyqtarët Musa Halili, Fuat Vjerdha dhe Luan Dervishi vendosin ta dënojnë jo për “vrasjen në bashkëpunim”, por “për sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjes”, një vepër për të cilën e dënon me 2 vjet e 6 muaj burg dhe për “moskallëzim të krimit” për të cilën dënohet me 1 vit e 6 muaj burg. Në total, për akuzat në lidhje me vrasjen e 13–vjecarit Agim Leraj ai dënohet me 4 vjet burg. /ABC News/