Deputetja e LSI Silva Caka deklaron se LSI duhet të dalë e vetme në zgjedhjet parlamnetare të 18 qershorit.
E ftuar dje gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Caka tha se LSI ka një kontratë me qytetarët dhe si e tillë prova e madhe e saj është që në zgjedhje të dalë e vetme.
Por Caka tha se ky është një mendim i saj personal dhe nuk ka asnjë vendim të forcës që ajo përfaqëson.
“Ky është mendimi im personal që për mua do të jetë votë publike në forumet e LSI, por a do të fitojë mendimi im apo jo, këtë do ta kenë në dorë forumet e partisë”.
Silva Caka është e para deputete e kësaj force politike që shprehet hapur për pozicionin që duhet të ketë LSI në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Megjithatë ende nuk ka një vendim zyrtar të kësaj force politike. Brenda LSI gjatë qeverisjes që prej 2013 ka pasur shumë mendime personale të hedhura si teza në publik. Kujtojmë këtu ato të Spartak Brahos për presidentin Nishani, Luan Ramës për FMN, Përparim Spahiut për pjesëmarrjen e të huajve në Vetting etj. /b.d