Një nga themeluesit e FRD-së dhe kryetari i saj “de jure” është tejet konkret për idenë e riformatimit të së Djathtës. Sipas tij, Partia Demokratike nuk e përfaqëson më elektoratin e Djathtë. Ai adreson kritika konkrete për sistemin zgjedhor, që ende nuk i kap standartet normale, rolin e munguar të ndërkombëtarëve por edhe situatën e krimit në vend…
Nga Ben Andoni
Për Gazmend Oketën nuk ka asnjë dyshim. Partia Demokratike e ka mbaruar misionin e saj si lokomotivë e së Djathtës. Duhet një riformatim i saj, pasi sipas tij PD-ja ka vite që ka humbur identitetin e saj politik dhe nuk mund të jetë më përfaqësuese tipike e së djathtës. Pozicionimi në qendër së të Djathtësi i FRD-së jep mundësi që ai ta shohë nevojën e një të djathtë të moderuar, ashtu si dhe një të majtë të tillë. “Lokomotivë e së djathtës shqiptare duhet të jenë platformat, idetë, qëndrimet politike dhe jo individë apo një grupim i vetëm”. Ai ka adresuar kritika për zgjedhjet, por mbi të gjitha për sistemin e saj të numërimit, që mbetet qesharak.
Në intervistën e tij flitet për kriminalizimin e politikës, por edhe lidhjen e krimit me politikën, si edhe ndërhyrjen pa sens të politikës për të shfrytëzuar gjithçka që ka lidhje me policinë…
A mendoni se publiku ynë është larg zgjedhjeve me standarde të larta dhe ende shumë i varur në opinionet e veta nga politika e dy tre partive (PS, PD, LSI) të mëdha?
“Nëse flasim për zgjedhje me standarde të larta atëherë duhet të kemi një sistem referimi që të bëjmë krahasimin. Normalisht krahasimi duhet bërë me standardet e vendeve të bashkimit europian, pasi dhe objektivi i Shqipërisë ai është, integrimi në BE. Nëse krahasojmë zgjedhjet tona me standardet e BE, do thoja se është si të krahasosh rakinë e Skraparit me verën franceze. Fatkeqësisht sistemi ynë zgjedhor dhe mënyra si administrohet, na bën thjesht që në përfundim të çdo zgjedhje një herë në dy vjet, të themi se “rakia që prodhuam këtë vit, është më e mirë se ajo e dy viteve më parë”, por përsëri deri tek rakia shkojmë. Nga ana tjetër zgjedhjet me standarde të larta nuk duhen kërkuar vetëm tek publiku, por sëpari tek ata që kanë detyrë të përgatisin sistemin dhe mënyrën e administrimit të tyre. Edhe faktori ndërkombëtar, i cili shijon verën franceze gjatë gjith vitit, duket se ka filluar t’i pëlqejë një herë në dy vjet progresi që në bëjmë në cilësinë e rakisë, përderisa vazhdon të prodhojë raporte të cilat njohin një hap përpara në çdo proces zgjedhor, por asnjëherë nuk prekin thelbin e problemit, që është sistemi zgjedhor, administrimi partiak i tij dhe proçesi i turpshëm i asaj që gjoja quhet numurim. Megjithatë duke qëndruar tek varësia e publikut nga partitë e mëdha në numër, personalisht konstatoj me keqardhje një ndryshim në kahun negativ në marrëdhënien votues-parti politike e anasjelltas. Fatkeqësisht duket se ne mësojmë pak nga historia. Ashtu siç 500 vjet më parë, nën ndikimin e perandorive të mëdha, shqiptarët diku për interesa, diku nga padia, diku nga kushtet e krijuara u konvertuan në fe, duke u bërë me më të fortin, ashtu dhe sot ata po “konvertohen politikisht” duke u bërë me atë që për momentin u jep një favor personal, u premton një vend në administratë për djalin apo vajzën në këmbim të votës. Në fund të viteve ’80 kur komunizmit në shqipëri po i vinte fundi dhe shumica nuk e donte më atë sistem, ishin jo të pakët ata që për favore shtetërore, antarësoheshin në atë parti, jo prej bindjeve por prej interesit, duke bërë që partitokracia të mbyste meritokracinë. Kur perandoria osmane ra, Shqipërisë natyrale ju hoqën shumë territore edhe për shkak të konvertimit fetar. Kur regjimi komunist ra, ekonomia shqiptare ishte e rrënuar, shoqëria shqiptare ishte e transformuar, mijëra familje lanë atdheun e emigruan. Kur “perandoritë” politike të ndërtuara mbi këto interesa të ngushta bien, dëmet që shkaktojnë në mënyrën se si publiku komunikon me politikën duan breza të tërë që të riparohen. Mesa duket historia tek ne përsëritet pa lënë asnjë mësim pas”.
Rezultati i FRD-së ka qenë disi befasues për publikun, por nuk besojmë për Ju, që keni punuar në terren. Çfarë ka ndryshuar në frymën që ka përcjellë formacioni juaj politik në këto votime?
“Rezultati zyrtar që FRD ka marrë në këto zgjedhje ndoshta nuk është ai i dëshiruari prej nesh, por gjithsesi është një rezultat i cili për një forcë të re si e jona konsiderohet pozitiv. Unë përfitoj nga kjo mundësi për të përcjell një falenderim për të gjithë ata qytetarë që na kanë votuar duke e vlerësuar maksimalisht mbështetjen e tyre tepër të sinqertë. Tashmë FRD konsiderohet si një subjekt politik i cili ka përfaqësuesit e tij në këshillat bashkiak të shumë prej bashkive kryesore në vend. Është një rezultat i cili edhe për veçorinë që kanë zgjedhjet lokale, zgjedhje të cilat bëjnë një shpërndarje të votës në shumë subjekte politike, bën një rikonfirmim të rreth 30 mijë votave zyrtare të FRD. Ajo që unë do thoja se ka ndryshuar në këto zgjedhje nuk ka të bëjë thjesht me raportin FRD-votues, por është një raport i cili ka ndryshuar në tërësi përsa i takon votuesve me partitë politike, gjë që e përmenda edhe më lart. FRD është përpjekur të ruaj profilin e saj politik si një forcë e moderuar, konstruktive, si në forcë politike e cila vlerëson më shumë shtetin sesa pushtetin e saj politik me çdo kusht. Megjithatë në ditët në vijim FRD do të bëjë një analizë të saj për të parë më në detaje se çfarë ka shkuar mirë por eshe çfarë duhet korigjuar apo përmirësuar”.
Duket se shpejt FRD në të ardhmen mund të jetë një lokomotivë e parë për të Djathtën shqiptare, tejet të zhgënjyer? A e keni menduar arritjen e këtij qëllimi?
“Sëpari e djathta shqiptare ka nevojë urgjente për një riformatim, pse jo dhe një rithemelim të saj. Forca politike që e përfaqësonte atë, PD-ja ka vite që ka humbur identitetin e saj politik dhe nuk mund të jetë më përfaqësuese tipike e së djathtës.
Sigurisht një nga shqetësimet kryesore të FRD është dhe perspektiva dhe ecuria e të djathtës shqiptare. Kjo, jovetëm për shkak të pozicionimit tonë si forcë e qëndrës së djathtë, por edhe për domosdoshmërinë që ka skena politike shqiptare për të pasur një të djathtë të moderuar, ashtu si dhe një të majtë të tillë. Lokomotivë e së djathtës shqiptare duhet të jenë platformat, idetë, qëndrimet politike dhe jo individë apo një grupim i vetëm. Sigurisht unë pse besoj se FRD është përfaqësuese më e denjë e së djathtës ndodhem aty, dhe shpreh bindjen se FRD do të jap të gjithë kontributin e saj për ringritjen e së djathtës shqiptare. Ata që kanë shqetësim të vërtetë fatet e së djathtës, që kërkojnë një politikë të moderuar, besoj e gjejnë veten tek FRD. Ata që kanë interes pushtetin dhe jo shtetin, shqetësohen pak për fatet e saj”.
A ju bën përshtypje, që krimi është sofistikuar dhe po e sfidon hapur policinë dhe vetë shteti! A mundej që strukturat e Sigurisë Kombëtare që të njoftonte në kohë (SHISH) dhe sidomos politika të ishte e bashkuar dhe jo e ndarë si në rastin e Lazaratit?
“Përsa kohë politika e përdor krimin për të arritur objektivat e saj për pushtet, atëherë është e pamundur që ajo të jetë e bashkuar në luftën kundër tij. Përsa kohë financimet e partive politike, mbulohen nga një mjegullnajë e nuk dihet nga vinë këto para, është utopi të pretendosh se krimi luftohet nga të gjithë pa asnjë dallim. Të mos harrojmë se krim nuk është vetëm vrasja e dikujt, apo kultivimi e tregtimi i narkotikëve, por krim është dhe drejtësia e munguar, e vonuar apo e korruptuar, krim është dhe abuzimi me fondet publike, e duke qëndruar tek zgjedhjet, krim është dhe tjetërsimi i apo vjedhja e votës, krim i cili gjeneron gjithë pasojat e tjera, krim që përbën burimin kryesor të korrupsionit. Është paradoksale që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë dhe të pranojë që ka nevojë për dekriminalizim. Që nga momenti i miratimit të një rezolute të tillë, në një vend normal të BE, qytetarët do dilnin shesheve dhe do kërkonin shkrirjen e atij institucioni. Tek ne kjo nuk ndodh, sepse modeli i të fortit në muskuj, po kthehet edhe në modelin e preferuar të shoqërisë. Rasti i Lazaratit duhej të ishte një rast që duhej të bashkonte gjithë spektrin politik shqiptar në mbështetje të përpjekjeve të policisë së shtetit për të vendosur sundimin e ligjit edhe në Lazarat. Fatkeqësisht, siç ndodhi dhe në aksionin e policisë një vit më parë, përpjekjet për të fituar politikisht nga kjo çështje nuk e bashkuan politikën, por e larguan akoma më shumë atë. Policia e shtetit ka nevojë për mbështetje maksimale morale, institucionale dhe pse jo dhe politike. Kjo është e vetmja mënyrë nëse duam të sigurojmë rend dhe qetësi për cilindo. Përdorimi politik i arritjeve apo edhe mosarritjeve të policisë, vetëm sa inkurajon krimin për të sfiduar hapur shtetin. Si qytetarë të thjeshtë, para se të merrmi me politikë apo të shqetësohemi për fatet e subjektit politik që mbështesim, duhet të shqetësohemi për fatet e Shqipërisë, që vlen më shumë se fati politik i çdo individi apo çdo subjekti politik”.