20 institucione të pavarura do të raportojnë tek Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mbi veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2016.
Kuvendi do të rinisë punimet në 19 janar me një anxhendë intensive të këtij sesioni parlamentar parazgjedhor, ku ndër të tjera pritet të miratojë edhe kalendarin sipas të cilit këto institucione të pavarura do të raportojnë. Pjesë e rëndësishme e punës së këtij sesioni parlamentar do të jetë reforma zgjedhore, ligjet zbatuese të reformës në drejtësi, ndërsa seanca pritet të fillojë me shqyrtimin e dekretit të presidentit për ligjin e importit të mbetjeve. Kuvendi pritet të miratojë të enjten e ardhshme kalendarin e thirrjes së 20 institucioneve të pavarura për të raportuar në Kuvend mbi veprimtarinë e vitit që lamë pas.
Këto institucione do të japin llogari para Kuvendit për veprimtarinë e 2016, shpenzimet financiare, realizimin e objektivave si dhe do të bëjnë publike gjetjet e shkeljeve, apo konstatimet pozitive a negative të gjatë një viti punë. Shqiptarja.com ka mësuar draft-kalendarin paraprak se kur do të vijnë për seancë dëgjimore në komisionet përgjegjëse parlamentare institucionet e pavarura, dhe se kur është afati i dorëzimit të raportit paraprak të tyre pranë Drejtorisë së Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend. Autoriteti i Konkurrencës do të raportojë në Komisionin e Ekonomisë brenda marsit, ndërsa raportin duhet ta dorëzojë në Kuvend deri më 26 shkurt. Avokati i Popullit do të duhet të raportojë në Komisionin e Ligjeve deri në 30 prill, ndërsa raporti duhet dorëzuar deri më 26 shkurt. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të raportojë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese brenda prillit, teksa raportin duhet ta dorëzojnë deri në 18 prill.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të raportojë në Komisionin e Ekonomisë në 31 mars, ndërsa raportin duhet ta ketë dorëzuar deri në 26 shkurt. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të raportojë në Komisionin e Ekonomisë brenda muajit prill, teksa afati i fundit për dorëzimin e raportit është 18 prilli. Enti Rregullator i Energjisë duhet të raportojë tek Veprimtaria Prodhuese në 31 Mars, dhe raportin duhet ta dërgojë në 26 shkurt. Komisionin i Shërbimit Civil duhet të raportojë tek Ligjet brenda marsit, ndërsa raportin duhet ta dërgojë në 26 shkurt. KQZ raporton në Komisionin e Ligjeve në fund të shkurtit, ndërsa raporti duhet dorëzuar deri në 26 shkurt, shkruan Shqiptarja.com
Këshilli Drejtues i RTSH-së do të raportojë tek Komisioni i Medias deri në fund të marsit, kurse raporti dorëzohet brenda 26 shkurtit. AMA raporton tek Komisioni i Medias në një afat të papërcaktuar, por raportin duhet ta dorëzojë jo më vonë se 26 shkurti. KLSH do të raportojë në Komisionin e Ekonomisë brenda marsit, teksa raportin duhet ta dorëzojë deri në 7 mars. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të raportojë brenda marsit, ndërsa raportin duhet ta dorëzojë deri në 26 shkurt. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi s’ka afat për raportimin tek Komisioni i Ligjeve, kurse raportin duhet ta dorëzojë deri në 26 shkurt në Kuvend. ILDKP do të raportojë tek Ligjet deri në 31 maj, ndërsa raportin duhet ta dorëzojë deri në 10 prill.
Banka
Banka e Shqipërisë do të raportojë tek Komisioni i Ekonomisë brenda marsit, teksa raporti i tyre duhet dorëzuar deri në 7 mars. Të njëjtin afat ka Prokurori i Përgjithshëm që raporton tek Ligjet.
Drejtësia
Ministria e Drejtësisë do të raportojë për inspektimet në prokurori në mars-prill, e po ashtu edhe Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Enti i Ujërave raporton në fund të janarit.
java/b.d