Në stacionin e Zjarrfikësve të Librazhdit, i cili mbulon veç dy bashkive të Prrenjasit e Librazhdit, edhe fshatrat përreth, situata është e mjerueshme.Ky stacion ka vetëm dy automjete, një i përket vitit 1964, totalisht të amortizuara. Shefi i këtij shërbimi, Vladimir Duro e pohon këtë fakt, madje thotë se prej vitesh nuk është investuar fare në këtë shërbim.
Automjetet, sipas tij, tashmë janë jashtë çdo standardi dhe numri i punonjësve është zvogëluar. Në bazë të ligjit, në 1.500-2.000 banorë duhet të ketë një zjarrfikëse. Nesë ligji do të zbatohej, shërbimi do ishte shumë herë më i mirë, por kostot janë të larta, ndaj e bëjnë atë të pamundur.
Kështu edhe Zjarrfikësja e Librazhdit, nga 14 punonjës që duhej të kishte, ka vetëm 9. Duro tregon se, të gjithë punonjësit kanë investuar parà nga xhepi i tyre për të mbajtur në këmbë këtë shërbim për stacionin, duke blerë deri te tavolinat, karriget, si dhe mjetet e kuzhinës.
Ky stacion, sipas shefit ka pasur një fond prej 4 milionë lekësh, të cilat janë shpenzuar për të bërë shërbimet më kryesore të makinave.
“Ende nuk janë rregulluar totalisht nga amortizimi i madh i tyre”, shprehet Duro. Në stacion ka edhe një autoambulancë, e cila është jashtë funksionit, pasi nuk ka asnjë mjet në brendësi dhe as bombol oksigjeni për të ndërhyrë.
Një tjetër problematikë, me të cilën hasen zjarrfikësit e Librazhdit, është terreni i vështirë nëpër fshatra. Duro thotë se është e pamundur të ndërhysh.
“Terreni i fshatrave është malor dhe e vështirëson më shumë ndërhyrjen. Ka pasur raste, kur ne kemi shkuar në qendër të fshatit, por s’kemi shkuar dot më tutje, as tuba s’kemi”, shprehet ai.
Në këtë stacion, prej vitesh punonjësit nuk pajisen me uniforma, si dhe mungon sistemi i ndërlidhjes. Zjarrfikësit komunikojnë në terren nëpërmjet telefonit celular.
ma.me