Në dekadën e dytë të shekullit XXI, Tirana duket një qytet i maturuar me të gjitha elementët e infrastrukturës, por kujdes pasi nuk ka qenë gjithnjë kështu. 100 vjet më parë, Tirana jo vetëm nuk kishte rrugë, por as mund të ëndërronte që do të kishte të tilla, si ato që do të pasonin…Rrugët e para u bënë me ndihmën e Italisë dhe nga qeveritë e para shqiptare, që mëtonin të sillnin zhvillimin bashkëkohor të qytetit…Një paraqitje e rrugëve kryesore të qytetit, që janë dhe sot dhe paratë që i mundësuan ato…
Nga Ben Andoni
Vërtetë Tirana e ditëve tona ka pak ose asfare ndryshim me infrastrukturën e qyteteve me të zhvilluara urbane evropiane, por të mos harrojmë se vetëm 100 vjet më parë, Tirana ishte një nga qytetet më të prapambetura në Evropë dhe më tej. Një rrugë karroce, që e lidhte me Durrësin, ishte plot gropa dhe ndonjë nga automjetet e rralla, që do merrte guximin për ta përshkruar do hasej me aventura rrugore, që do t’ia kishin zili romanet më ekzotikë të botës. Kjo e shpjegon arsyen që misionet e diplomatëve, udhëtarëve dhe atyre pak gazetarëve që vinin tek ne, përmbylleshin në relacionet e tyre me paraqitjet e vendit si një nga oazet e fundit mesjetare në kontinent.
Sot mund të dalin shumë e të flasin për zhvillimet, por Tirana nuk të joshte për asgjë dhe vetëm ndonjë i çartur në fillim të shekullit XX, mund të mendonte se ky qytet do të ishte ndonjëherë kryeqyteti i Shqipërisë. Por, historia ka disa anë. Dhe, ana fatlume, i takoj qytetit, që për një konjukturë historike u zgjodh si kryeqyteti i vendit. Nuk është se Tirana u zhvillua menjëherë, por aman pas vitit 1920, kur edhe shënohet kjo datë fatlume, qyteti u rrit dhe vazhdon me një ritëm të paparë, që njeh vetëm ngritje. Në vitet e para të Tiranës kryeqytet, kemi një dëshmitar të gjallë të kohës, që na ka lënë kujtimet e tij. Pietro Kuaroni, një nga emisarët italianë, që përgatiti pushtimin do të thoshte se ishte vështirë të udhëtoje dhe të strehoheshe në këtë qytet.
“Sigurisht ishte një rrugë për të shkuar nga Durrësi në Tiranë: por ishte fjala jo më pak për një ‘rrugë’ sesa për një varg gropash të lidhura mes tyre me mbeturinat e kalldrëmta. Sa për pamjen e kryeqytetit, më mirë të mos e zemë në gojë”, shprehet ai tekstualisht në “Valixhen diplomatike”. Qyteti, sikur të mos i mjaftonte kjo, nuk kishte vend të duhur ku të bujtje, ashtu si pisllëku ishte kudo i pamatë. Deri më 1923 ekzistonin vetëm dy rrugë karrocash një në jug dhe një tjetër, për të cilën po flasim mes Tiranës dhe Durrësit. Vetëm një dekadë më vonë, pikërisht, në periudhën 1928-1939 u bënë aq ndryshime të thella saqë për sipërfaqen e vet, Tirana linte pas disa nga qytetet evropiane. Deri më 1937 ishin ndërtuar plot 2224 km rrugë kombëtare dhe 611 km ishin ende në ndërtim. Por, ndërkohë ishin bërë shumë vepra arti, mes të cilave 4371 ura, ku ajo e Matit me 480 metrat e vetaa ishte aq impozante sa hyri deri në analet inixhinierike të kohës. Ndërkohë në vend ishin ndërtuar edhe 1234 ura të përkohshme…
Retrospektivë
Vendosemi pas në kohë dhe sërish po sjellim njoftimet nga shkrimi i Pietro Kuaronit, që për të treguar këtë prapambetje, na sjell një episod, që e flasin mesvete anëtarët e pakët të komunitetit të huaj në vend: “Është një histori që shqiptarët kanë qejf ta tregojnë: Një ditë, Zoti zbriti mbi Tokë për të hedhur një sy e për të parë se ç’kishin bërë njerëzit me veprën e tij. Ai po kalonte kështu nga njëri vend në tjetrin, pa arritur ta njihte më tokën: këta dreq njerëzish e kishin bërë botën rrëmujë. Po sa e madhe ishte habia e tij, po edhe gëzimi i tij, kur arriti në Shqipëri.
-Më në fund ja vendi i parë që po e njoh përsëri! Ai ka mbetur ashtu si e krijova unë!
Si çdo gjë njerëzore edhe kjo përrallë shkon pak për nga eksagjerimi, por jo shumë…
Kur unë zbrita nga anija në Shqipëri në fillim të dhjetorit 1928, dora e njeriut shfaqej këtu akoma në një mënyrë shumë diskrete. Porti i Durrësit kishte mbetur në gjëndje projekti: nëse e lejonte koha, mund të largoheshe nga anija me barka; në kohë shumë të keqe më mirë të drejtoheshe për nga Bari në pritje të ndonjë rasti më të favorshëm…
Prandaj me një entuziasëm të madh, italianët po bëheshin gati të ndërmerrnin punime që askush gjatë shekujve nuk e kishte gjykuar të udhës t’i fillonte, e mbyll ai me pathos rrëfimin…
Në fakt, vetë shqiptarët
Në fakt s’është thjesht Italia, por ajo që shikojnë për vendin e tyre burokratët e rinj shqiptarë dhe qeveritë e tyre. Mbështeten te specialistët e tyre por edhe tek ata austriakë, paçka se kuptohet qartë se në fund është kudo dora e Italisë. Ajo i akordon një hua Shqipërisë, që do mbetet gjatë në mëndje, sepse një pjesë e madhe do shpërdorohet, ndërkohë që vendi do të lulëzojë nga ana urbanistike. Armando Frassini është ai që kupton akset e qytetit, po më shumë se kaq kah duhet të shkojë orientimi i tij modern. Akset e rrugëve i ndërton duke u bazuar në orientimin e minareve të shumta në qytet, ndërkohë këshillon që ndërtimet, nga lindja duhet t’i linin qytetarët të shikonin Lindjen e Diellit dhe në perëndim, Uljen e Diellit. Ato do jenë kanone të pakundërshtueshme për shumë kohë, kurse projektimi i rrugëve të tij, pika referenciale. Bazuar në librin e Spiro Mëhillit për Tiranën, po nxjerrim dhe përshkruajmë rrugët kryesore:
Bulevardi “Zog 1”. Ai u projektua i orientuar nga sheshi i xhamisë së Et’hem Beut gjer te Kodra e Pashës (Ka ndryshuar disa herë emrin. Dhe, nga Corso “Vittorio Emanuele III” dhe në vazhdim deri te godina e universitetit u njoh si “Rruga Savoia”; pastaj Bulevardi “Stalin”, e përsëri “Zogu I”). Ajo mbetet pa asnjë dyshim, aksi më i rëndësishëm i kryeqytetit, rruga më e bukur, më me histori dhe më me shumë ngjarje, sidomos pas Luftës së Dytë. Saktësisht, bulevardi fillonte nga Kodra e Pashës e përfundonte në Lagjen Brrakë. Projekti, jo vetëm u ideua, por edhe u projektua më vitin 1927 (vetëm një vit pas ndihmës italiane) nga arkitekti Italian Armando Frassini. U çuditshme sesi u financua . Për ndërtimin e tij bashkia e kryeqytetit mori hua 500.000 franga ari nga zyra e pensioneve për të shpërblyer pronarët e ndërtesave dhe tokave të shpronësuara. Shembjet filluan më 5 Janar 1930 dhe atë kohë u vendos që e gjithë rruga të quhej “Zog I”, ashtu si e njohim dhe sot. Shuma totale për ndërtimin e saj ishte e frikshme. Të mendosh se vetëm pjesa veriore e saj, që ishte 800 metra e gjatë dhe 35 metra e gjerë, kushtoi për shpronësimin e pronarëve 559.777 franga ari, kurse ndërtimi 810.000 franga ari. E gjithë masa ka shkuar në total 1.369.726 franga ari. Si magjistral nuk është se mbaroi këtu, pasi do duhej shumë dhe do përfundoj në vitet 1931-33. Të dyja pjesët e bulevardit u lidhën me urën e Lanës që përfundoi në vitin 1934 me kosto 279.981 franga ari.
Rruga “28 Nëntori”. Ajo u ndërtua me drejtim nga sheshi i Xhamisë së Et’hem Beut gjer te Xhamia e vjetër. U planifikua të ishte 200 metra e gjatë dhe 16-20 metra e gjerë. Shpronësimi kërkoi 9.657 franga ari, kurse shuma për ndërtimin e rrugës, asfaltimin, si edhe kanalizimi dhe ndërtimi i trotuareve shkoi në 16.4000 franga ari. Gjithsej i gjithë shpenzimi kapi shumën e 26.057 frangave ari. Ajo që ka mbetur në mëndje të njerëzve të vjetër të Tiranës ishte se nuk do të ishin më shumë nga dyqanet më të bukura të kohës, që gjendeshin në atë vend dhe që u prishën…
Rruga “Karnarvone” Ashtu siç shkruam më parë, gjithçka niste prej xhamive. Dhe, kështu ndodhi me të. Rruga u planifikua prej xhamisë së vjetër deri te godina e Bibliotekës së re, që ishte dhuruar nga bamirësja britanike me të njëjtën emër në nder të të birit. Ndërtimi mori shumë kohë dhe që nga viti 1925, kur filloi, ajo mezi do mbaronte më 1934. Që andej, në një imazh të kohës, tiranasit kundrojnë më ditët e para të prillit 1939 forcat italiane, që pushtuan vendin. Ajo ishte e gjatë 250 metra dhe e gjerë 12-15 metra. Shpronësimi shkoi deri më 10.774 franga ari. Kurse ndërtimi i rrugës, trotuarët dhe kanalet morën dhe një fond prej 16.200 franga ari. Shumë e përgjithshme ishte as më shumë e as më pak por plot 26.974 franga ari. U kuptua pse rruga mori aq kohë. Në atë rrugë u vendosën Pallati Mbretëror (Akademia e sotme); Departamenti Ushtarak, pronë e princeshës mbretërore Adile; Pallati i Princeshave, deri atëherë pronë e komunitetit mysliman (Sot jeton Princi Leka I); Godina ku bëhej protokolli mbretëror, pronë e Hysref Frashërit; Ambasada Italiane (në fillim të viteve 1920 ishte Muzeu Arkeologjik, sot është Godina e të Përndjekurve), pronë e shtetit Italian dhe e ashtëquajtura Lulishtja Popullore, që sot është shndrruar krejt.
Rruga Mbretnore. (Në fillim quhej Rruga “Republika”, ndryshoi në Rruga “Mbretnesha Elena”, e në fund u njoh si Rruga e “Barrikadave” në nder të rezisencës së qytetit). Ajo shtrihej prej Portës së atëhershme të Pallatit deri gjer te Kodra e Kuqe. Ajo u bë më shpejt dhe për hir të zhvillimit, të cilën po e merrte ajo zonë e Tiranës. U punua për të në vitet 1926-1927, por asfaltimi arriti të bëhej vetëm më 1934. Ishte nga rrugët më të gjata në qytet: 725 metra dhe e gjerë 15 metra. Shpronësimi kapi shifrën e 110.180 franga ari, ndërsa rruga, trotuari, trotuarët dhe kanalizimi, që u realizuan me dy faza shkuan në 70.000 franga ari, që në fund të punimeve shënuan shifrën e përgjithshëm 180.180 franga ari…
Rruga “Nënë Mbretëreshë” (Quhej në fillim rruga “Princi i Piemontit”; pastaj Rruga “Kongresi i Përmetit”, e u kthye sërish me emrin Rruga e Durrësit). Ajo shkonte nga xhamia e Et’hem beut gjer te Fabrika e atëhershme e Elektrikut. Ajo u hap në vitet 1922-23 me prishjen e shumë shtëpive dhe kopshteve nga dy anët sepse rruga e vjetër e Durrësit (më vonë “Mihal Duri”) nuk lejonte që të shihej qendra e Qytetit dhe anasjelltas. Në kohën e Socializmit ajo do të merrte zhvillim të paparë. Ishte e gjatë 1000 metra dhe e gjerë plot 20 metra. Kostoja e përgjithshme me të gjitha trotuaret e saj kapi shifrën e 312.500 franga ari.
Rruga “Xhemal Pashë Zogu” (Klasikisht ajo njihej me emrin Rruga e “Dibrës”, pastaj mori emrin Rruga “Bajram Curri”, e përsëri u kthye në identitet me emrin e vjetër Rruga e “Dibrës”). Ajo shtrihej prej sheshit “Skënderbej” e gjeri te spitali ushtarak. Ishte nga rrugët më me histori të Tiranës, sepse aty gjendej libraria e njohur e Mit’hat Frashërit, por më vonë ajo u bë e njohur prej përmendjes që Ismail Kadare i bëri në rrëfimet e tij. Ajo u zgjerua nga viti 1925-1934. Kishte gjatësinë 220 metra dhe gjerësinë 15 metra. Shpronësimi i mori shtetit 39.740 franga ari, kurse të gjithë shpenzimet për ndërtimin e rrugës dhe trotuareve morën dhe 90.000 franga ari, në shumën e përgjithshme prej 137.740 franga ari…
Rruga “Kosta Kotta” (Do e nderonte me emrin e saj kryeministrin e vendit. Emri më i vjetër dhe si njihej ajo më shumë ishte Rruga e “Fiqve”. Për shkak të marrëdhënieve të mira me Italinë mori emrin rruga “Galeaco Ciano” dhe tani ka rënë në qetësi me emrin rruga “Qemal Stafa”). Ajo u hap dhe u zgjerua nga vitet 1925-27. Ishte 1010 metra dhe e gjerë 12 metra.E gjitha mori si kosto plot 43.000 franga ari.
Rruga “Ibrahim Pashë Parga”ishte në fakt vazhdimi i rrugës “Tafaj”. Siç e kemi shprehur më sipër, urbanistët italianë vendosën si kanone, që drejtimi të mbahej me minaretë e xhamive. Ajo fillonte, aty ku ndodhej xhamia e Zaimit në rrugën “Fr. Grispi”, e që shkonte deri te Rruga “Xhemal Pashë Zogu” ose “e Dibrës”. Ajo u festua shumë në Tiranë sepse i dha një imazh të këndshëm qytetit. Rruga u hap më 1928 me madhësi 300 metra linearë e gjatë dhe 12 metra e gjerë. Kostoja e saj e shpronësimit kapi 10.585 franga ari me kosto të përgjithshme 17.785 franga ari. Përfundimisht, ajo bashkonte atë që njihet me emrin klasik rruga “Bardhyl” ose Rrugën “e Husit” me Rrugën “e Dibrës” te Selvia e “Toqit”…
Rruga “Gjeneral Alberto Pariani” (“Fortuzi”) u ndërtua deri më 1936. Në fakt më parë ishte rrugicë dhe një nga ato me emrin më të madh në Tiranë. Këtu ishin shfaqur filmat e parë dhe rrugica u kthye në rrugë me një gjatësi 680 metra dhe gjerësi 15 metra. I gjithë shpenzimi i saj mori 34.600 franga ari…Ishte dhe mbetet nga rrugët më intime të qytetit tonë, ndërsa e bëri më të bukur lidhjen e Bulevardit ” ZOG I” me rrugët “Gjin Bue Shpata” dhe “Nëna Mbretneshë”..
Rruga e ‘Kavajës’ (ndryshimet e emrave të saj por më shumë emrat tregojnë rëndësinë e madhe të këtij aksi, që mund ta kundrosh në fotot e kohës. Më 17 janar 1930, ajo u emërtua Bulevardi “Benito Mussolini”, më pas quhej rruga “Konferenca e Pezës” dhe përsëri u quajt “Rruga e Kavajës”). Ajo ishte 1.1 kilometër e gjatë dhe 30 metra e gjerë. U asfaltua më 1933-34. I gjithë shpronësimi kapi shumën 159.442 franga ari. E veçanta ishte se kishte të mbjellë shumë kumbulla të kuqe, që u kthyen sërish gjatë kohës që Edi Rama ishte kryebashkiak.
Rruga e Pishës ose “Sir Aubrey Herbert”. Ajo u inagurua në vitet 1934-35 dhe ruante parametrat 700 metra të gjatë dhe ishte gati 10 metra e gjerë. Për të u shpenzuan 66.206 franga ari për shpronësime dhe kanalizime dhe gjithsej u përdorën 96.206 franga ari. Ajo u shtua me një segment tjetër që shkonte nga varrezat e Pashës dhe mbaronte te Rruga e “Republikës”. Kur mendon se ishte e gjatë 222 metra dhe 10 metra e gjerë, atëherë kupton rëndësinë e saj. Në vitet 1936-37, kur Tirana po jetonte një lulëzim të marrëdhënieve me Italianë u sistemua qendra e Tiranës, që pati shumë projekte interesante. Ndërsa u ndërtua dhe shëtitorja në lulishten moderne që ishte plot 105.50 metra e gjatë dhe 60 metra e gjerë. Të gjithë e kanë parasysh nga imazhet e pushtimit, ose ato të parat në qytet, ku shumë fshatarë dhe qytetarë ecin në mes të rrugës. Përbri saj u vendos një shatrivan, mes të cilit gjermanët vendosën një bunker, ku u luftua jashtëzakonisht shumë për çlirimin e Tiranës, pasi ishte pikë e pakapshme. Veç Frasinit që përmendëm, për kontribut të madh do kujtohen disa urbanistë shqiptarë dhe në sistemin urbanistik do kontribuonte shumë me idetë e veta edhe arkitekti nga Roma Armando Brasini…
…
Këto ishin vetëm disa nga akset kryesore, por një sërë arteriesh të tjera, më modeste, u shpërndanë në qytet edhe pas Luftës së Dytë. Për shumë nga të ardhurit në qytet nuk duhet të harrohet se qyteti ynë pati sfidat e veta, por edhe u gëzua me kontributin e të gjithëve dhe asnjëherë nuk kërkoi veçse respekt prej nesh. Qysh atëherë shumë nga rrugët vetëm janë asfaltuar, ndërsa janë zgjatur disa akse kryesore, apo janë hapur disa udhë sekondare të qytetit. Por baza ishte ajo që ndërtuan në mes të viteve ’20 nga paraardhësit tanë.
Mbështetur në të dhënat teknike të referuara nga Spiro Mëhilli në librin e tij “Tirana 1920-1944”