Gjenerali i dalë në pension, James Mattis, i cili pritet të bëhet i pari oficer ushtarak karriere që udhëheq Pentagonin që prej viteve ’50, tha gjatë kësaj të enjteje se ai vet besonte se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqej të “shpërbënte” aleancën atlantiko-veriore NATO, e cila ka shërbyer si gardiane e sigurisë amerikane dhe europiane prej më shumë se gjysmëshekulli.
I pyetur gjatë seancës dëgjimore në Senat, Mattis e portretizoi Rusinë si një kundërshtar strategjik. Ai u shpreh se historia e marrëdhënieve SHBA-Rusi ka mangësi përpjekjesh të suksesshme për bashkëpunim afatgjat, diçka për të cilën presidenti i zgjedhur Donald Trump është angazhuar ta vazhdojë.
Sa i përket Putinit, Mattis, një ish-udhëheqës ushtarak i NATO-s tha se “ai është duke u përpjekur ta shpërbëjë aleancën atlantiko-veriore”. Ndërkohë shtoi se Trump mbetet i hapur sa i përket pikëpamjeve të tij për Rusinë, teksa i kishte kërkuar atij personalisht mendim mbi marrëdhëniet amerikano-ruse.
Mattis deklaroi se mbështeste totalisht lëvizjet e administratës “Obama” për të siguruar aleatët europianë pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë, por edhe aktiviteteve ushtarake në lindje të Ukrainës.
E ndërsa Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten të gatshme për të punuar me Rusinë, Mattis tha se perspektiva e bashkëpunimit sa vjen e ngushtohet. Konteksti i këtyre fjalëve ishte i qartë.
Ndërkohë që Mattis fliste, zgjedhja e Trumpit për të drejtuar CIA-n dëshmonte përpara një tjetër paneli të Senatit, dhe ishte i sigurtë se do të pyetej në detaje mbi pretendimet e agjencive amerikane të inteligjencës, se Moska ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane. Marrëdhëniet mes dy ish-armiqve të Luftës së Ftohtë janë përkeqësuar edhe prej qëndrimeve të ndryshme në luftën civile të Sirisë.
Në aspektin e përgjithshëm, Mattis tha se bota ishte nën “sulmin më të madh që prej Luftës së Dytë Botërore”, duke fajësuar këtu Rusinë, Kinën dhe organizatat ndërkombëtare terroriste për destabilizimin e rrjedhave të deritanishme. I pyetur nga senatori John McCain, nëse ushtria e Shteteve të Bashkuara ishte totalisht e gatshme për t’u përballur me këto sfida, Mattis u përgjigj: Jo!
Mbi sulmet kibernetike, Mattis theksoi se luftëra të tilla shpesh nisin nga përllogaritjet e gabuara. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin kufij të qartë, në mënyrë që kundërshtarët ta dinë se çfarë nuk mund të tolerohet nga SHBA.
Si ish-komandant i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, Mattis tha se besonte që Uashingtoni duhet të rikthejnë marrëdhëniet më të mira me Izraelin dhe partnerët arabë.
Mattis, 66 vjeç, doli në pension në vitin 2013 pasi shërbeu si komandant i Komandës Qendrore amerikane, në krye të të gjitha forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Ai njihet për pikëpamjet e forta ndaj Iranit, të cilin e konsideron si një kërcënim për rajonin, e tha se do të punonte për një president që do të forconte politikat amerikane kundrejt Teheranit. I fundit oficer karriere që ka shërbyer si shef i Pentagonit ishte George Marshal në vitet 1950-1951. TCH
ma.me