Njësia e Shërbimit Neurovaskular (stroke dhe post-stroke) është shërbimi më i ri i krijuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, si pjesë e Polit të Integruar të Neuroshkencës, i cili brenda një periudhe kohe të shkurtër në sajë të investimeve është shndërruar në një pavijon modern, i pajisur me teknologjinë më të lartë mjekësorë të standardeve europiane.
Për herë të parë, në këtë njësi bëhet aplikimi i procedurës së trombolizës intravenoze për sëmundjet ishemike të trurit, i cili ofrohet vetëm në QSUT.
Ky shërbim ka në përbërjen e tij një personel të specializuar prej 8 mjekësh neurologë dhe neuroreanimatorë dhe 31 infermierë të specializuar.
Ai ka një kapacitet prej 29 shtretërish dhe gjatë vitit 2016 ka trajtuar 1180 pacientë me probleme neurologjike akute.
Gjatë vitit 2015/ 2016 në këtë shërbim janë investuar pajisje biomjekësore, të cilat janë një kusht i domosdoshëm për funksionimin e tij si: pajisje të monitorimit kardiak të pacientëve në kushte observimi reanimator, pompat e infuzionit, respiratorë, panelet e gazrave mjekësore, ECHO-Doppler dhe transkraniale, pajisje të matjes së vlerave të gazeve jetësore në gjak, shtretër reanimacioni në vlerën 20 milionë lekë.
Shërbimi Neurovaskular organizon punën e tij së bashku me Shërbimin e Urgjencës, e cila pret dhe identifikon pacientët, përcakton problematikën vaskulare cerebrale për shqetësimin që paraqitet duke ja përcjellë në kohë reale mjekëve në këtë shërbim, procedurë kjo, e kryer për herë të parë në Shqipëri. Gjithashtu, për herë të parë është investuar në blerjen e një medikamenti të ri, të domosdoshëm për të shpëtuar jetën e pacientëve me sëmundje ishemike akute të trurit.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetsisë Ilir Beqaj ishte sot për të parë nga afër investimet më të reja në këtë pavion.
Mjekja neurologe Mira Rakacolli shpjegon se me procedurën që mund të kryhet tani, pacienti rehabilitohet brenda një kohe të shkurtër, dhe mund ti nënshtrohet menjëherë procedurave pasardhëse. “Është një shërbim i ri për të parën herë që hapet në qendrën spitalore universitare. Nëqoftëse një i sëmurë paraqitet në orët e para në një paralizë që ka ardhur si rezultat i bllokimit të gjakut, në sajë të një medikamenti që vetëm tani u bë e mundur të blihet, – sepse ky është një medikament që kushtonte shtrenjtë, -brenda një ore atij i zhduket paraliza. Një pacient që vjen në gjendje kome dhe që nëse s’do ta bënte këtë, – edhe sikur të shpëtonte jetën, do mbetej i paralizuar, – për një orë çohet.”
Drejtorja e QSUT Ogerta Manastirliu tha se: “shërbimi i hap rrugën edhe ndërhyrjeve të reja që janë ndërhyrjet minivazive në vazat e trurit. Për më tepër kjo procedurë është një procedurë që ashtu siç e tha dhe doktoresha që në çdo vend të botës kryhet, tek ne kryhet për herë të parë në Shqipëri në sistemin publik.”
Mjekja neurologe Rakacolli tha ndër të tjera se vizioni për këtë shërbim i ideuar nga profesor Petrela që në vitin 2010, ka mundur të përmbushet vetëm gjatë 2 viteve të fundit. “Ky është një vizion i filluar nga profesor Petrela, është vërtet merita e tij që në vitin 2010-2011 ka hedhur këtë ide dhe ka punuar për ta krijuar këtë lloj qendre, por normalisht vërtete vetëm mbas vitit 2013 u pajisëm me të gjithë atë infrastrukturë që duhet siç duhet këtë gjë, që të plotësojë ato standarde që ka dhe Europa edhe përtej atlantikut, dhe që më në fund arritëm që vetëm përpara 10 ditësh të kemi dhe ne rezultatet e para që na bëjnë të ndihemi vërtetë krenarë.”
Saimir Rama, është pacienti i cili vetëm një ditë më parë ndodhej në koma, ndërsa me ndërhyrjen më të fundit është në gjendje të flasë vetë.
Ndërsa Kryeministri Rama tha se tashmë gjendja në spitalet publike është krejtësisht ndryshe, dhe shërbimet që ofrohen për pacientët janë të kënaqshme. “Tani jemi në një fazë tjetër dhe realisht që të gjithë ata që marrin shërbim se kanë hall në QSUT, por edhe në spitalet e tjera, pavarësisht se në spitalet e tjera kemi ende shumë probleme, – janë të kënaqur. Ata që nuk kanë qënë në spital dhe nuk e dinë se çfarë ka ndodhur vazhdojnë shajnë e shajnë se s’kanë faj se kanë pasur situata të ndërlikuara në të kaluarën.” /java/b.d