Ditën e djeshme Ministri i Jashtëm Maqedonas Poposki sulmoi Shqipërinë duke thënë se ajo përpiqet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të shtetit maqedonas. Në një intervistë për TV Alsatin maqedonas, Ministri Bushati ka hedhur poshtë pretendimet, duke thënë se nuk ka patur asnjë lloj ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Shefi i diplomacisë shqiptare i është referuar takimit që krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni kanë patur me zyrtarë të qeverisë shqiptare, teksa ka thënë se qeveria shqiptare ka për detyrim kushtetues që të kujdeset dhe të mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo ndodhen. Ministri i Jashtëm është shprehur gjithashtu se sa herë përmendet Marrëveshja e Ohrit nga Shqipëria apo ndërkombëtarët, pala maqedonase “sekëlldiset” .
Në përkthim të këtij qëndrimi, Bushati është shprehur se ka ardhur koha që politika maqedonase të njohë rëndësinë e shqiptarëve në Maqedoni dhe të kuptojë se ky shtet nuk është i përbërë nga vetëm maqedonas.
“…tendenca për t’i barazuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni thjesht me krijimin e lehtësirave për krijimin e disa fabrikave apo zonave të lira ekonomike, në rastin më të mirë, në gjykimin tim, do të ishte thjesht një dritëshkurtësi dhe në rastin më të keq do të barazonte shqiptarët thjesht dhe vetëm me një komunitet punëtorësh, të cilët mund të jenë drejt kërkimit të punës, ndërkohë që është e qartë për këdo nga pikëpamja e kompozicionit etnik, Maqedonia është shteti i përbashkët i maqedonëve dhe i shqiptarëve, por edhe komuniteteve të tjera apo edhe grupeve të cilat mund të konsiderohen minoritet në Maqedoni.”- është shprehur Bushati.
INTERVISTA E PLOTE
Alsat TV: Pse u përfshi Shqipëria në tentativën për të krijuar një platformë, një dokument të përbashkët mes partive shqiptare?
Ministri Bushati: Platforma e përbashkët e partive parlamentare shqiptare në Maqedoni është një produkt i një pune të përbashkët të partive nënshkruese. Shqipëria ka mbështetur vijimësisht, tradicionalisht një politikë sa më koherente dhe sa më kohezive të faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe në këtë kontekst, mbështet edhe këtë proces dhe sheh këtë dokument si një bazë të mirë për të avancuar disa prej detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat nuk janë përmbushur ende. E sheh gjithashtu këtë platformë si një mundësi më të mirë për një harmoni ndëretnike më të madhe në Maqedoni. E sheh si një mundësi për më shumë stabilitet demokratik dhe siguri në Maqedoni për rimarrjen e kursit Europian dhe Euro-atlantik dhe për dhënien e një sinjali të qartë edhe fqinjëve të tjerë të Maqedonisë, e përkatësisht Greqisë për procesin e bisedimeve për çështjen e emrit apo Bullgarisë për procesin ende në diskutim të të ashtuquajturit Traktat të Miqësisë, si një mundësi ku faktori politik mos të qëndrojë në mënyrë pasive, por të japë kontributin e tij në mënyrë që proceset e integrimit Europian dhe proceset e integrimit Euro-atlantik të zhbllokohen.
Nga ana tjetër, për Shqipërinë stabiliteti demokratik i Maqedonisë dhe perspektiva e qartë Euro-atlantike si një vend anëtar i NATO-s që jemi, por edhe rrugëtimi europian, janë çështje të një rëndësie parësore.
Alsat TV: Sipas jush pse duhej shteti shqiptar të përfshihej?
Ministri Bushati: Shteti shqiptar nuk është përfshirë në çështje të brendshme të një vendi mik dhe një vendi fqinj siç është Maqedonia. Shteti shqiptar, Qeveria shqiptare ka zbatuar një detyrim kushtetues, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë.
Në Maqedoni ekziston një komunitet shtetformues në gjirin tonë shqiptar, i cili në çdo rast e në çdo rrethanë, do të ketë nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, për këshillat miqësore të Shqipërisë, në funksion, vetëm në funksion, të avancimit të këtyre të drejtave. Pra jo në funksion të politikës së ditës, se kush do të zgjedhë kë për të bërë koalicion dhe se çfarë politike, ekonomike apo sociale apo ideologji do të zgjedhë një informacion i caktuar politik.
Tirana ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë përpjekjet e të gjithë faktorit politik shqiptar, për të punuar së bashku për të mirën e Shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Dhe unë u përpoqa ta shpjegoj, që ajo platformë për të cilën kanë rënë dakord partitë politike shqiptare në Maqedoni, në analizë të fundit nuk është thjesht një platformë e shqiptarëve në Maqedoni, po është një platformë për një bashkëjetesë shumë herë me solide mes shqiptarëve dhe maqedonasve, është gjithashtu edhe një platformë që ofron dorën e bashkëpunimit për të ecur përpara dhe për të zhbllokuar disa procese të cilat po bëjnë vite, për të mos thënë dekada që janë ngrirë dhe kanë sjellë pasojë zinxhirë edhe në jetën e brendshme politike të Maqedonisë.
Alsat TV: Si i shikoni reagimet ndaj këtij akti, sepse ka patur reagime të tilla që thonë se kjo ndihmë, ose ky gjest i shtetit shqiptar dhe i qeverisë Shqiptare, është edhe ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.
Ministri Bushati: T’ju them të drejtën ka një qëndrim të pashpjegueshëm të autoriteteve maqedonase, jo thjesht për këtë rast por në përgjithësi, sa herë që përmendet marrëveshja e Ohrit nga ana e Shqipërisë dhe sa herë përmendet Marrëveshja e Ohrit nga ana e institucioneve ndërkombëtare apo partnerëve ndërkombëtarë. Nuk e kuptoj pse merret me kaq sekëlldi nga ana e autoriteteve maqedonase Marrëveshja e Ohrit. Dihet mjaft mirë që Marrëveshja e Ohrit shpëtoi Maqedoninë nga kthetrat e një konflikti, i cili do të kishte patur efekte shkatërrimtare për Maqedoninë dhe për të gjithë rajonin tonë.
Së dyti, tendenca për t’i barazuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni thjesht me krijimin e lehtësirave për krijimin e disa fabrikave apo zonave të lira ekonomike, në rastin më të mirë, në gjykimin tim, do të ishte thjesht një dritëshkurtësi dhe në rastin më të keq do të barazonte shqiptarët thjesht dhe vetëm me një komunitet punëtorësh, të cilët mund të jenë drejt kërkimit të punës, ndërkohë që është e qartë për këdo nga pikëpamja e kompozicionit etnik, Maqedonia është shteti i përbashkët i maqedonëve dhe i shqiptarëve, por edhe komuniteteve të tjera apo edhe grupeve të cilat mund të konsiderohen minoritet në Maqedoni. Sa më shpejt të krijohen kushtet për të njohur këtë fakt publikisht, besoj se do të ketë shumë më tepër ura komunikimi ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtetformuese, do të ketë një përfaqësim më të mirë në institucionet kryesorë në Maqedoni, do të ketë politika dhe zbatim politikash më harmonike jo vetëm ekonomike dhe sociale, por edhe politike – zhvillimore, si edhe do të ketë jo vetëm më shumë stabilitet demokratik për Maqedoninë, por besoj edhe më shumë fqinjësi të mirë.
Alsat TV: Zoti Ministër, a keni komunikuar me zyrtarët e shtetit maqedonas, me homologun tuaj, ministrin e Jashtëm atje, për të shpjeguar pikërisht këtë që sapo thatë, që të mos të lindë ai keqkuptimi, për të cilin edhe ju keni ndroje?
Ministri Bushati: Dua të them shumë shkoqur që qëndrimi i Tiranës zyrtare është konstant, është i pandryshueshëm. Për ne respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimi i saj në germë dhe në frymë nuk është një çështje që mund ta negociojmë më homologë apo me zyrtarë në Maqedoni. Ne e kemi lexuar edhe votën e elektoratit shqiptar pikërisht në këtë prizëm.
Qëndrimi i Tiranës është shumë i qartë gjithashtu edhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ku ne jemi prezent dhe ku kërkojmë që Maqedonia të jetë gjithashtu prezent, siç është rasti i NATO-s. Për ne Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje ndërmjet dy komuniteteve kryesore, shtetformuese në Maqedoni, por është edhe një marrëveshje që ofron hapësirë për më shumë liri, për më shumë barazi dhe për më shumë demokraci në Maqedoni, koncepte këto të lidhura pazgjidhshmërisht me sigurinë, me fqinjësinë e mirë dhe mbi të gjitha me perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike.
Alsat TV: Ju Mendoni se partitë politike shqiptare do te mund të shmangen nga ajo që kanë shkruar, cila është përshtypja juaj, sigurisht nga takimet që keni pasur?
Ministri Bushati: Unë nuk mendoj se ka arsye të qarta që partitë politike nënshkruese ti shmangen detyrimeve për të cilat kanë rënë dakord në letër sepse në fakt, janë angazhime të cilat nuk kanë të bëjnë me një ideologji të caktuar dhe pavarësisht se për kë mund të ketë votuar elektorati shqiptar në Maqedoni. Ju jeni votues atje për shembull, pavarësisht se për kë mund të keni vajtuar nga ato parti politike besoj se nuk ka shqiptar që mendon ndryshe nga ato çështje që janë listuar në platformë. Sfida është si të kthehet situata e momentit në një frymë pozitive, në një frymë stabilizuese jo thjesht për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni, por për të ardhmen e Maqedonisë.
Alsat TV: Kur përmendni rajonin dhe shqiptarët një nga çështjet më të rëndësishme për momentin në kontekst rajonal për shqiptarët është çështja Ramush Haradinaj. Çfarë po bën Ministria e Jashtme në këtë aspekt?
Ministri Bushati: E para, Shqipëria ka qenë përveçse në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me Kosovën dhe me autoritetet e Kosovës, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm në rrugë diplomatike në nivelin e ambasadave apo të Ministrive të Jashtme me autoritetet Franceze. Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Brendshëm në kanalet e tyre të komunikimit me Interpolin dhe me Ministrin e Drejtësisë në Francë. Dhe nga ana tjetër, kemi komunikuar dhe me vendet partnere, me vendet kyçe Shtetet e Bashkuara të Amerikës normalisht, vendet kyçe të Bashkimit Evropian për të dhënë një qëndrim sa më shtjellues të Shqipërisë rreth këtij rasti. Sepse keq përdorimi i Interpolit nga ana e Serbisë dhe ndjekja politike e provokuese, aq më tepër ku për Ramush Haradinaj kanë thënë në disa raste ka dy vendime te dy dhomave të tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë. Ky është një ato rastet e rralla ku një kryeministër si Haradinaj la detyrën për të shkuar në Hagë për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. Rinovimi apo nxjerrja nga sirtari i mandateve të arrestit nga ana e Serbisë, në kushtet kur Bashkimi Evropian nxit sa më shumë Serbinë dhe Kosovën për të ecur përpara në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve, në kushte kur ne si Shqipëri kemi nxitur vijimësisht Kosovën për të ecur përpara në këtë proces. Në kushte kur ne si Shqipëri ia kemi bërë të qartë Serbisë që marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë varen gjithashtu nga ecuria e procesit të gjithanshëm e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sepse nuk janë marrëdhënie që zhvillohen në boshllëk, në vakum, i gjithë ky akt, kam përshtypjen ndikon negativisht apo përpiqet të minojë edhe ato suksese, edhe ato hapa, të cilët janë hedhur me vështirësi gjatë gjashtë viteve të fundit.
Alsat TV: Si e shikoni procesin tashmë, çfarë do të bëhet më tej që jo thjesht lirimi por situatat e ngjashme mos të përsëriten më?
Ministri Bushati: Ky është një shqetësim shumë i drejtë dhe mendoj që çështje të tilla duhet të jenë domosdoshmërisht pjesë e paketës së diskutimeve që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Mund të kishim shtjelluar këtu gjerë e gjatë aspektet juridike dhe aspektet diplomatike të këtij ndalimi. Fakti që në Kosovë edhe sikur, edhe sikur pra në qoftë se unë për një moment do të vishja mantelin e një analisti shumë të ftohtë ndërkombëtar dhe nuk do të merrja për momentin të mirëqenë faktin që kemi të bëjmë me një shtet të pavarur. Edhe sikur fakti që ka një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka një autoritet ndërkombëtar që operon gjithashtu në OKB, ka një tribunal ndërkombëtar siç është tribunali i Hagës dhe dy vendime ndaj Ramush Haradinaj që, një tribunal që është ngritur mbas një vendimi të Këshillit të Sigurimit që ka një epërsi më të madhe se normat e së drejtës së brendshme secili prej vendeve tona. Fakti që Ramush Haradinaj udhëtonte me një pasaportë diplomatike etj etj. Pra jemi në të gjitha aspektet në shkelje të disa prej rregullave më elementare të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë. Prandaj është e rëndësishme që të gjitha këto lloj praktikash të arkivohen në historinë e së shkuarës, në mënyrë që mos të minohet procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një proces që siç e kemi thënë shpesh, duhet të pasohet nga procesi i pajtimit dhe njohjes së ndërsjellë ku Kosova dhe Serbia një ditë të jenë së bashku anëtare të Bashkimit Evropian me të drejta të plota.
Alsat TV: Zoti ministër, nga Serbia pati reagime për qëndrimin e Shqipërisë, për qëndrimin tuaj. Një nga konstatimet ishte se, në fakt gjithë përpjekja që Shqipëria bën për pajtim nuk është e sinqertë, në qoftë se parifrazoj një qëndrim. Si mund ta shohim gjithë këtë situatë?
Ministri Bushati: Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë i qartë dhe konstant që në krye të herës. Kemi nxitur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një proces i cili jo vetëm do të normalizonte marrëdhëniet por do të pasohej nga pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja e ndërsjelltë. Jemi vend anëtar i NATO-s, jemi një vend qartësisht i përcaktuar si pjesë e vlerave të familjes së madhe euroatlantike, kemi përgjegjësi në këtë kënd të Evropës për të ushtruar dhe për të rezonuar sa më shumë stabilitet demokratik. Jemi të angazhuar për të bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit, por nga ana tjetër, marrëdhënia jonë bilaterale me Serbinë, natyrisht që varet edhe nga ecuria e marrëdhënies apo procesit të normalizimit nëpërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nga zbatimi i angazhimeve të ndërmarra në këtë proces në mënyrë që këto angazhime mos të kthehen në një letër pa vlerë./java/a.k