Përmes një postimi në rrjetin e tij social kreu i demokratëve Lulzim Basha ka sulmuar pronarët e ABC news dhe MAPO-s për largimin e dy drejtuesve të informacionit Armand Shkullaku e Alfred Lela.
Pavarësisht se Basha nuk ka përmendur emrat e Aleksandër Frangajt dhe Henri Çilit, sulmi shkon drejt atyre, kur ai shprehet se këta drejtues po vënë në shërbim të qeverisë median e tyre. Basha shkruan më tej se ata janë bërë bashkë me qeverinë për ti shërbyer interesave të pushtetit dhe parasë, një këmbanë alarmi kjo që duhet të dëgjohet nga çdo qytetar sipas liderit të opozitës.
Lajmi për largimin e këtyre dy drejtuesve mediatikë u publikua dje në media.
POSTIMI I BASHËS
Dje ishte një ditë e zezë për median, lirinë dhe demokracinë.
Largimi i dy drejtuesve, Armand Shkullaku nga ABC neës dhe Alfred Lela nga gazeta MAPO, është një lajm i keq për vendin, është një hap më shume drejt zaptimit të medias nga një regjim i korruptuar e kriminal.
Armand Shullaku dhe Alfred Lela nuk kanë nevojë për vlerësimin tim, sepse ata i kanë vlerësuar dhe respektuar qindra mijëra shqiptarë në shumë vite kontribut publik. Ata nuk kanë nevojë as për mbrojtjen time, sepse puna, talenti dhe aftësia e tyre janë mbrojtje ndaj çdo lloj regjimi.
Por largimi i tyre, vetëm për t’i vënë këto media në shërbim të plotë ndaj qeverisë është lajm i keq për të gjithë.
Është lajm i keq sepse kur politika, interesat e biznesit dhe media bëhen bashkë, ditë të vështira vijnë për një vend dhe popull. Kjo ditë ka ardhur për Shqipërinë.
Ata janë bërë bashkë për të ruajtur pushtetin dhe paranë. E keqja është bërë bashkë, kundër qytetarëve.
Tani është koha që qytetarët të bëhen bashkë kundër tyre. Ne nuk do t’ia dorëzojmë vendin sunduesve që pas fasadave dhe mashtrimeve mediatike po vjedhin dhe po vrasin një vend dhe një popull. /java/a.k