Pasoja të paparashikueshme ka sinjalizuar Qeveria e Kosovës të mërkurën, një ditë pas sulmit me bombë ndaj objektit të zyrave të ekzekutivit në Mitrovicën Veriore, të banuar me serbë. Incidente ka paralajmëruar edhe Beogradi zyrtar.
Në pajtim me një marrëveshje të mbërritur në Bruksel nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, në fund të dhjetorit është inauguruar në veri të vendit objekti ku parashihej të zhvillonin aktivitetin dikasteret qeveritare, shkruan “Koha Ditore”.
Si nëpunës, aty janë rekrutuar ish-pjesëtarët e Mbrojtjes Civile, një organizatë paramilitare e Qeverisë së Serbisë që për vite ilegalisht ka vepruar në Kosovë, integrimin e të cilëve e parashihte marrëveshja. Serbët e kësaj pjese ia kontestojnë shtetësinë Kosovës.
Për sulmin, Prishtina zyrtare e ka bërë përgjegjës fqinjin verior, me të cilin ka hyrë në një fazë kritike, veçmas pasi autoritetet franceze kanë arrestuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj mbështetur në një fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia… (b.an)