Boldnews.al disponon një raport konfidencial të Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Universitar dhe Kontrollin Spitalor, që nxjerr në pah shkeljet dhe abuzimet nga Spitali “Hygeia” ndaj pacientëve të saj por edhe ndaj institucioneve shqiptare.
Raporti i papublikuar është hartuar pas kontrollit në në këtë spital privat gjatë periudhës dhjetor 2014 – mars 2015 ndërsa është firmosur nga specialistët e DSHSUKS, më saktësisht J.B, L.H, R.K, L.G, R.D dhe E.E.
Sipas mangësive të konstatura në raportin prej 45 faqesh, Spitali “Hygeia” ka falsifikuar kartelat e disa pacientëve që marrin shërbimin e hemodializës. Raporti evidenton se ky spital privat ka shtuar numrin e pacientëve që kryejnë hemodializën me qëllim përfitimin në mënyrë të padrejtë rimbursimin nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Nga kontrolli rezultoi gjithashtu se Spitali “Hygeia” ka shmangur ekzaminimet laboratorike të disa pacientëve, edhe pse ishin parashikuar në paketën e hemodializës që paguhet nga buxheti i shtetit nëpërmjet FSDKSH.
Lidhur me personat që ishin shtruar në pavionin e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, raporti konfidencial vë re mungesën e arsyes së shtrimit të pacientëve dhe autorimizimin e mjekut specialist duke ngritur dyshime të forta për evazion fiskal.
Raporti i cili nuk është bërë publik për arsye të pashpjegueshme ka edhe një sërë shkeljesh të tjera më të rënda. Boldnews.al do të publikojë në vijim pjesë të raportit që nxjerr zbuluar skandalet në Spitalin “Hygeia”./Marre nga Pamfleti.com/