Pas publikimit të pamjeve tronditëse në kampet e ishullit Mytilini, ku qindra emigrantë gjenden në kushte tragjike dhe nën mëshirën e valës së të ftohtit ekstrem, ka reaguar dhe qeveria greke.
Mbrëmjen e së martës ka qenë vet kryeministri Alexis Tsipras, që urdhëroi Ministrinë e Mbrojtjes të dërgojë menjëherë një anije ushtarake në ishullin e Mytilinit për të strehuar disa qindra prej tyre.
Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit, pas zgjatjes në kohë të motit të keq dhe përkeqësimit të situatës në këtë ishull, qeveria vendosi të dërgojë në zonë një anije ushtarake, në të cilën janë të gjitha kushtet për akomodimin e emigrantëve që ndodhen në kampin “Moria” të ishullit.
Anija pritet të mbërrijë në zonë paraditen e së mërkurës, e menjëherë do të fillojë transferimi në të i emigrantëve që kanë nevojë urgjente, shton deklarata e qeverisë.
Në një video të organizatës “Mjekët pa kufij”, e publikuar para pak ditësh, duken emigrantët që jetojnë në ishullin Mytilini, të bëjnë garë për të mbijetuar në kushtet ekstreme të motit dhe temperaturave disa gradë nën zero.
Ata gjenden në çadra pa ngrohje, të cilat janë të mbuluara nga pothuajse një metër dëborë, ndërsa kushtet sa vjen dhe përkeqësohen.
Publikimi i videos bëri që Athina zyrtare të kritikohet nga organizmat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, e solli sërish në pah gjendjen tragjike në të cilën mbahen emigrantët në kampet në Greqi, shkruan tch.
Sipas ministrit përgjegjës për Çështjet e Emigracionit, Janis Muzalas, akualisht në kampet greke ndodhen rreth 62 mijë emigrantë. Sipas tij, po bëhet ç’është e mundur për krijimin e kushteve njerëzore të mbijetesës, por dhjetëra milionë euro të dhëna prej Bashkimit Europian në rastin më të mirë janë keqadministruar, ose janë devijuar për aktivitete që nuk vlerësohen emergjente.
Më herët, Muzalas kishte deklaruar se mbi 99% e emigrantëve që ndodhen në kampet greke, kanë akses në ambiente të ngrohta dhe ushqim të ngrohtë, çfarë u hodh poshtë prej pamjeve të publikuara në mediet botërore.