Nue Kalaj, personi i akuzuar se ka luajtur rolin e sekserit për marrëveshjen e privatizimit të OSSH mes kompanisë çeke të energjisë, CEZ dhe qeverisë “Berisha”, nuk është paraqitur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor.
Taulant Balla, kryetar i këtij komisioni, i kërkon policisë ta sjellë forcërisht Nue Kalajn.
Sipas Ballës, Kalaj ka kryer transaksione dhe tërheqje të dyshimta si shpërblim për këtë privatizim. Sipas kryetarit të komisionit, deputetit socialist Taulant Balla, hetimet kanë zbuluar se shtetasi Nuel (Nue) Kalaj, miku i ngushtë i djalit të ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, ka marrë nga CEZ transferta bankare në miliona euro.
“Komisioni Hetimor për privatizimin e OSSH tek CEZ sot ka administruar prova shumë të rëndësishme lidhur person Nuel (Nue) Kalaj i cili sipas dëshmive të deritanishme ka qenë “sekseri” i martesës së qeverisë shqiptare të Sali Berishës me kompaninë CEZ.
Komisioni po heton pse CEZ i ka bërë këto transferta tek ky individ dhe ku i ka çuar paratë cash Nue Kalaj mik i ngushtë i djalit të Sali Berishës, Shkëlzen Berisha“, u shpreh Balla.
Ndërkohë, komisioni ka administruar llogari bankare të Nue Kalajt i cili ka marrë nga CEZ transferta bankare mbi 7 milionë euro.
Dhe këto shuma më pas i ka tërhequr cash me 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009.
Operacioni ka qenë i thjeshtë, CEZ s.a ka transferuar në kohë të ndryshme shumë parash në llogarine personale të Nuel apo Nue Kalaj. Pa asnjë justifikim, zero. Kështu deri në shifra marramendëse në miliona euro.
Nuel apo Nue Kalaj i ka tërhequr ato cent më cen, në euro, “cash”, fizikisht, me çanta. Përsëri pa asnjë justifikim.
Shqiptarja.com siguron një kopje të një prej transaksioneve që Nue Kalaj ka kryer nga banka në datën 16 Qershor, 2009.
Në këtë transaksion që është një prej tërheqjeve cash që Kalaj ka bërë nga një bankë e nivelit të dytë, vlera është 1 milionë euro./a.k
(Transaksioni 1 milionë euro, i tërhequr nga Nue Kalaj)
(Nue Kalaj, sekser në privatizimin e OSSH te CEZ)
Komisioni hetimor për CEZ i ka kërkuar policisë sjelljen me forcë të Nue Kalajt për të dëshmuar lidhur me aferën e privatizimit të OSSH te kompania CEZ. Në shkresën e cila i ka mbërritur Policisë së Tiranës që në datën 30 dhjetor 2016, thuhet se efektivë të policisë kanë mbërritur në banesën e Nue Kalajt te “Zogu i Zi”, në datën 5 janar 2017, për t’i komunikuar atij shoqërimin me forcë në komisionin hetimor, por ai nuk është gjetur në shtëpi.
Sipas policisë, në banesë nuk ka pasur asnjë prej familjarëve të tij dhe në këto kushte shkresa për thirrjen me forcë i është dorëzuar vjehrrit të tij, Tahir Rushiti, i cili banon pranë apartamentit të Nue Kalajt.
(Kërkesa drejtuar policisë për shoqërimin me forcë të Nue Kalajt)