Donald Trump është një njeri pa vlerë. Ai është mburravec dhe gënjeshtar. Është sherrxhi dhe demagog. Është injorant dhe pa karakter, mashtrues dhe racist i sinqertë apo i pasinqertë. Dashuria e tij për veten mund të barazohet vetëm me antipatinë që ndiej për të. Ai do të jetë presidenti i Shteteve të Bashkuar. Me sa duket, shpejt mund të jemi një puç kushtetues.
Që kur fitoi zgjedhjet, Trump nuk ka ndryshuar sjellje. Ende sillet si fëmijë i llastuar, një shembull i qartë është sulmi në Twitter kundër Arnold Schwarzenegger sepse nuk arriti të kishte shikueshmërinë e Trumpit në “The New Celebrity Apprentice”. Shembujt e tjerë janë shumica gënjeshtra, më seriozet prej të cilave janë deklaratat shqetësuese më herët rreth përpjekjeve ruse për të ndikuar në zgjedhje. Si gjithmonë, Trump e solli gjithçka rreth vetes, jo, siç duhej të ishte, rreth faktit që një fuqi e huaj ndërhyn në demokracinë tonë.
Për të, historia e hakimit ishte një shembull i lajmeve të rremë, jo të lajmit pa kundërshtim të rremë që përhapën rusët, por i atij që erdhi nga vetë agjencitë tona të zbulimit. Trump jeton në një sallë pasqyrash, por jo i vetëm. Reince Priebus, kryetari në largimi i Komitetit Kombëtar Republikan dhe tani një tjetër eunuk moral në oborrin e Trumpit, tha në CBS News se publikimi i raporteve të inteligjencës ishte “qartësisht i motivuar politikisht për të diskredituar fitoren e presidentit të zgjedhur Trump”.
Priebus, siç thoshte gjyshja ime, di si ta lyejë rrotën e qerres.
Është marrëzi të mendosh se ndihmës si Priebus do të jenë në gjendje të modelojnë Trumpin. Ata ndikojnë për keq, duke zbrazur ndërgjegjen e mbushur egon e tyre dhe do të ishte edhe më tepër budallallëk të mendosh se vetë Trump do të ndryshojë. Ai është 70 vjeç, në periudhën e osifikimit dje triumfi politik vetëm sa e ka bindur për korrektesën e vet të pagabueshme. Ai mendon se është i pagabueshëm, një lloj pape jofetar. Gjërat do të shkojnë nga keq në më keq.
Një mjet zgjidhjeje është vënia nën akuzë nga Dhoma (e Përfaqësuesve në Kongres) dhe dënimi nga Senati. Është, siç duhej të ishte, një proces që kërkon punë të madhe dhe gjetjen e provave për akte tradhtie, ryshfeti dhe krime të tjerë më të vegjël – vërtet shumë të vështirë për t’u përkufizuar. Më fakt, asnjë president nuk ka shkuar deri në fund të procesit, as Andrew Johnson dhe as Bill Clinton.
Megjithatë, ka një mënyrë. Nën Amendamentin e 25-të të Kushtetutës, zëvendëspresidenti, bashkë me “një shumicë zyrtarësh kryesorë të departamenteve ekzekutivë ose të organeve të tjera, të organizuar ligjërisht nga Kongresi”, mund ta largojnë presidentin për shkak të të qenit “i paaftë të ushtrojë pushtetin dhe detyrat e postit të tij”. Pa dyshim që vetëm përmendja e paaftësisë do të mblidhte një hordhi avokatësh në Washington për ta kundërshtuar atë apo kuptimin e çdo termi.
Por është e qartë që Amendamenti i 25-të u jep një rol anëtarëve të kabinetit që nuk merret zakonisht në konsideratë kur ata janë për t’u konfirmuar. Megjithatë, këtë herë ata duhet të pyeten nëse janë të vetëdijshëm për Amendamentin e 25-të dhe, po të nevojitet, nëse do të ishin të gatshëm ta vinin në zbatim. Disa do të thoshin që nuk u përgjigjen pyetjeve hipotetike, por gatishmëria për të zbatuar Kushtetunën nuk është hipotetike. Përkundrazi, është një detyrë me peshë.
A do të ndodhë? Ndoshta jo. Do ta shtyjmë përmes presidencës së Trumpit, siç kemi bërë me të tjerë më parë. Por natyra dhe ligësia e Donald Trumpit duhet të na mbetet në mendje. Ai ka treguar shumë pak respekt për Kushtetutën, siç vërtetohet nga deklaratat se çdo akt i presidenti është legal dhe është i prirur për deklarata e taktika vulgare. Kujtoni se ai ishte më aktivi si “birther” ( nga birth – lindje, termi për ata që thoshin se Obama nuk është lindur në SHBA – Shqiptarja.com ) , evidencë ose e racizmit ose e një gatishmërie rrëqethëse për ta toleruar atë. Kujtoni edhe se, siç bëri Meryl Streep në Golden Globes, Trump përqeshi Serge Kovaleskin, një reporter i paaftë fizikisht i New York Times, dhe më vonë e mohoi se e kishte bërë diçka të tillë. Ja dhunuesi i më të dobëtëve në gjithë neverinë e tij. Ja edhe gënjeshtari në gjithë përçmimin për të vërtetën.
Që nga zgjedhja, Trump nuk ka bërë asgjë për të larguar shqetësimin se ai është i papërshtatshëm për presidencën. Pas pak ditësh ai do të marrë presidencën, me gjithë pushtetin e saj gjigant. Ndoshta e vetmja gjë që mund ta ndryshojë është kabineti i tij. Trump e bëri një gabim. Në atë zyrë ka disa njerëz të mirë.