Forcat e Armatosura kanë vijuar angazhimin në përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e reshjeve të borës dhe ngricave. Në përgjigje të kërkesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, helikopterët e Forcës Ajrore kanë kryer disa fluturime për shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara. Një helikopter “Cougar” i Forcës Ajrore ka shpërndarë pako me ndihma ushqimore dhe batanije për banorët e fshatrave Arrën dhe Kalis në Kukës.
Ndihmat e shpërndara për banorët e këtyre fshatrave të izoluar janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit. Helikopterët e Forcës Ajrore janë në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo emergjence dhe vijojnë bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile për shpërndarjen e ndihmave për banorët e zonave të thella. Gjithashtu, efektivët dhe mjetet e rënda të Forcave të Armatosura mbeten të angazhuara edhe në hapjen e rrugëve rurale që janë ende të bllokuara nga bora.
ma.me