Nga Lorenc Vangjeli
Një fotografi e kësaj situate janë tarracat e pallateve të vjetër kudo gjetkë në Shqipëri. Nëse në fund të viteve 80-të tarracat komuniste ishin pyje hekuri për shkak të antenave të televizorëve, shumë shpejt ato u mbushën me depozitat kapitaliste të ujit të pijshëm. Nëse ka një pamje aestike të marrëzisë së detyruar kolektive, është pikërisht kjo zgjidhje e detyruar individuale e çdo familjeje shqiptare. Përballë dilemës: ujë me kova i ngjitur me krahë nga kati i parë apo me depozitë në tarracë, pothuaj të gjithë banorët e kateve nga i treti e sipër, realizuan në vite një zgjidhje të tillë. Duke paguar disa dhjetra mijëra lekë secila dhe duke zbutur në një farë mënyre dramën e ujit që ose vinte me orar, ose vinte pa presionin e duhur në katet e sipërme të pallateve të vjetër. Sivjet mjaftuan pak ditë me ngrica që i gjithë sistemi i “ujesjellësave” primitivë privatë të tarracave të falimentonte. Mijëra depozita dhe tuba të çarë në këtë javë rrjedhin ujë nga sipër për t’u bërë akull poshtë duke krijuar monumentin e përkryer të budallallëkut të detyruar.
Askush nuk mund të thotë sesa ka kushtuar në total i gjithë operacioni individual i “ujësjellësave” privatë, por me gjasa ai është një investim që shkon në rendin e disa qindra milionë eurove, të cilat të gjitha së bashku kanë zgjidhur një problem praktik, por kanë krijuar probleme të tjera edhe të higjenës, edhe të sigurisë, edhe të estetikës.
Ky është shembulli ulëritës që provon mungesën e mendjes që krijon ide për të gjithë, që fton për zgjidhje të plota dhe refuzon zgjidhjet e pjesshme; është shembulli tronditës i mungesën së drejtimit dhe falimentimin në vite të pushtetit, qoftë qëndror, qoftë lokal. Eshtë shembulli fatal që dëshmon dëmin e pallogaritshëm që krijohet nga ekstremet dhe zgjedhjet ekstreme: nga kolektivizmi absurd i skajshëm, në individualizmin po aq absurd të skajshëm.
Pikërisht kjo luhatje e lavjerësit të mendësisë së shoqërisë shqiptare dhe mendjelehtësia proverbiale dhe paaftësia e pushteteve që ajo ka prodhuar, është një nga shkaqet që shpjegon shumëçka që ka ndodhur në këto 25 vjet. Ky lloj lavjerësi shpjegon se pse vendi është ende kaq i varfër, pse është ende kaq larg Brukselit dhe pse tranzicioni është një këngë pafund vaji e tallavaje tipike shqiptare.
Kjo është gjithashtu një nga provat që shpjegon pse fshati shqiptar – gjysma e popullsisë së vendit – është i mjerë dhe pse perspektiva e të nesërmes së tij është po aq e zymtë nëse nuk ndryshon më së pari mendësia e gjithë shoqërisë. Familja fermere e zakonshme në Shqipëri jeton në një ekonomi natyrore, me të njëjtin organizim si në Evropën e shekullit të shkuar: ajo kujdeset për të siguruar ushqimin e saj dhe tepricat i nxjerr në treg individualisht për t’i shitur dhe që me ato të ardhura të sigurojë kripë e rroba, libra dhe kujdes shëndetësor. Të sugjerosh bashkimin e tokave mes familjeve, të ftosh për heqjen e gardheve individualë për të bërë një ekonomi përbashkët, e cila do të mundësonte rritje prodhimi, ngjan si një teori komuniste kolektivizimi. Por ajo në fakt nuk është e tillë: është thjesht dhe vetëm një zgjidhje realiste dhe më shumë se kaq, është një zgjidhje kapitaliste, e vetme dhe e detyruar, në kushtet e copëzimit ekstrem të tokës së punueshme.
Depozitat e ujit e ujit në tarraca dhe fshati shqiptar janë dy pasqyrat që dëshmojnë budallallëkun kolektiv me zgjidhjet individuale të modës së sotme. Dhe sa kohë që çdo shqiptar mendon se mund të zgjidhë vetëm ai dhe vetëm për veten furnizimin me ujë të pijshëm të familjes dhe sa kohë që çdo fermer mendon të lartojë gardhin e tokës së tij për ta ndarë dhe ruajtur nga fqinji, aq kohë shoqëria shqiptare do të jetojë nën mendësinë primitive të së shkuarës. Ajo do të jetë sërish sovjetike në thelb edhe pse e veshur me xhinset e kapitalizmit në dukje. Njëlloj dhe në politikë: pluralizmi dhe antagonizmi mes partive nuk është armiqësi, por aleternativë. Nuk është ndarje, por dialog. Nuk është veto, por votë. Nuk është diktat, por kompromis. Nuk është kostum lufte, por konsensus. Ndryshe, pavarësisht veshjes dhe llojit të votës, politika nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga tarracat “antisovjetike” të pallateve në Tiranë.