Spitali Rajonal i Fierit do të ketë në vijim një shërbim modern dhe bashkëkohor të shërbimit të Urgjencës. Falë një investimi prej rreth 100 milionë lekësh u bë i mundur përmirësimi i Urgjencës pritëse, pjesë e Programit Kombëtar të reformimit të shërbimit të Urgjencës Mjekësore Kombëtare.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, përuroi mjediset e reja të Urgjencës pritëse në Spitalin Rajonal të Fierit.
“Sot në spitalin Rajonal të Fierit, falë një pune shumë të mirë të bërë nga drejtuesit e spitalit vizituan ambientet e rikonstruktuara dhe të pajisura të shërbimit të Urgjencës. Janë rreth 100 milionë lekë që janë investuar për të përmirësuar pjesën e Urgjencës pritëse në spitalin Rajonal të Fierit, janë pjesë e programit tonë kombëtar të reformimit të shërbimit të Urgjencës Kombëtare, bashkë me Qendrën e Kontrollit dhe të Komandës në Tiranë, bashkë me më shumë flotë në territor, padyshim, duhet të jemi në gatishmëri për flukset pritëse në spitalet tona”, u shpreh Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë njoftoi, gjithashtu, se brenda mesit të këtij viti, Spitali Rajonal i Fierit do të pajiset edhe me shërbimin e Hemodinamikës.
“Unë dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar personelin shëndetësor, edhe këtu në Fier, edhe mjekët dhe infermierët sidomos të shërbimeve të Urgjencës, edhe mjekët dhe infermierët e Parësorit që edhe ditën e dielë, edhe këtu në Fier, kanë punuar në mënyrë që kjo situatë e rënduar e epidemisë së gripit, edhe e të ftohtit të mund të përballohet duke i shërbyer sa më pranë të sëmurëve kronikë, të moshuarve edhe fëmijëve”, theksoi Beqaj.